Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi dhe Bylbyl Sokoli, kanë ngatërruar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 me Lojërat Olimpike gjatë një mbledhjeje të komisionit parlamentar ku u diskutua për organizimin e garave që do të mbahen në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë diskutimit, ku u trajtuan edhe çështjet që lidhen me punimet në stadiumin e Gjilanit, të dy deputetët përdorën termin “Lojëra Olimpike”, ndonëse tema e mbledhjes kishte të bënte me Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“[…] Ndoshta është mirë me bisedu edhe me ministrin, meqë jemi afër ‘Lojërave Olimpike’, me shku me pa ku janë problemet”, deklaroi Matoshi.
Ngatërrim të ngjashëm bëri edhe kolegu i saj, Bylbyl Sokoli, i cili është profesor dhe trajner futbolli. Edhe ai, gjatë fjalës së tij në komision, iu referua garave të vitit 2030 si Lojëra Olimpike.
“Të na informojnë në lidhje me arritjet, deri ku kanë mbërritur rreth Lojërave Olimpike”, u shpreh deputeti Sokoli.
Lojërat Mesdhetare dhe Lojërat Olimpike janë dy ngjarje të ndryshme sportive. Kosova është nikoqire e planifikuar e edicionit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, të njohura si “Prishtina 2030”./gazetametro.net