Ardhja e ministrit të ri në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka sjellë një kthesë pozitive në raportet mes këtij dikasteri dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), shkruan Gazeta Metro.
Kështu bëri të ditur kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, i cili e ka vlerësuar ndryshimin e situatës përmes mbajtjes së disa takimeve mes palëve brenda një periudhe të shkurtër kohore prej vetëm një muaji.
Sipas Jasharit për Gazeta Metro, SBASHK-u, Ministria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit janë pajtuar që të bashkëpunojnë në përgatitjen e planit strategjik për arsimin në Kosovë “2030+”.
“Po, me ministrin që ku jemi pajtuar edhe edhe para sodit që bashkarisht me Këshillin e Prindërve dhe me DKA-të me të gjithë do të punojmë bashkë ne për përgatitjen e planit strategjik për arsimin në Kosovë 2030+. Po ashtu kemi biseduar edhe për nisjen e mbarë të vitit shkollor dhe jemi dakorduar që së shpejti të bisedojmë edhe lidhur me kontratën kolektive të arsimit”, deklaroi Jashari për Metron.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë edhe furnizimi i nxënësve me libra shkollorë për vitin e ri shkollor.
Jashari deklaroi se ka ende ndonjë pengesë, por sipas tij, shumica e prindërve tashmë kanë pranuar mjetet e alokuara për tekstet shkollore dhe procesi pritet të përfundojë së shpejti.
“Lidhur me furnizimin me libra për këtë vit, ministri ceku tha se aty ktu ka ndonjë pengesë, mirëpo tha se shumica e prindërve kanë pranuar mjetet, alokimet që janë dhënë për tekstet shkollore dhe shumica e nxënësve pritet që t’i ketë tekstet shkollore siç tha ministrja, pra po shkon pothuajse nga përfundimi kjo punë”, u shpreh Jashari.
Ndërkohë, sot ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2026/27, me nxënësit që janë rikthyer në bankat shkollore në të gjitha komunat e Kosovës./gazetametro.net