Loading…

Schuebel ja permend ‘Zajednicën’, Kurti i injoron e lëvdohet se ka progres në tjera fusha

  • 04/11/2026 | 19:02

Schuebel ja permend ‘Zajednicën’, Kurti i injoron e lëvdohet se ka progres në tjera fusha

Kryeministri Albin Kurti ka folur pas pranimit të Raportit të Progresit të BE-së, në një konferencë për media me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, ku edhe këtu përmendi ngërçin politik të krijuar në vend, shkruan Gazeta Metro.


Sipas Kurtit, tash që edhe e kemi zgjedhur presidentin e vendit, tashmë kemi përshpejtuar dinamikën e reformave për integrim në BE, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes.

“Më lejoni të ritheksoj përkushtimin tonë si qeveri dhe si shoqëri për anëtarësim të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian. Integrimi në BE mbetet plan strategjik afatgjatë. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë. Megjithatë, nuk mund të lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi pasur, siç e kemi nënvizuar në të gjitha takimet, në të gjitha nivelet, në veçanti me presidentin Costa, presidenten von der Leyen, Macron dhe shumë udhëheqës të tjerë të shteteve anëtare. Kosova meriton të marrë statusin kandidat për anëtarësim në BE”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se tashmë bëhen katër vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por që ende nuk e ka marrë këtë status.

“Pas një muaji bëhen katër vjet nga koha kur kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor 2022, në prag të Presidencës Çeke. Pavarësisht kësaj, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status si kandidat. Prandaj, ambasador, më lejoni ta ripërsëris kërkesën tonë për dorëzimin sa më parë të aplikimit tonë, ashtu që të hapet rruga për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave. Në këtë dekadë, Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm dhe këtë e tregojnë raportet ndërkombëtare. Në Indeksin e Sundimit të Ligjit jemi para shumicës së vendeve të rajonit, ndërsa edhe në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij u ngritëm 15 vende këtë vit”, tha ndër të tjera Kurti.

Kryeministri, ndër të tjera, tregoi edhe mënyrën se si e vlerëson Raporti i Komisionit, ndërsa u lëvdua për progresin e arritur.

“Raporti i Komisionit e vlerëson secilën fushë në dy mënyra. E para është niveli i përgatitjes, pra sa afër standardeve të Bashkimit Evropian janë ligjet dhe institucionet tona. E dyta është progresi gjatë rrugës njëvjeçare. Në raportin e këtij viti, niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund. Në luftën kundër krimit të organizuar niveli është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të BE-së dhe në lirinë e shprehjes. Gjatë periudhës raportuese, vitin e fundit i kemi mbajtur tri palë zgjedhje: komunale në tetor 2025, parlamentare në dhjetor 2025 dhe në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Përfaqësimi i grave arriti në 34%, mbi kuotën ligjore”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, ambasadori Schuebel përmendi kushtet kryesore që Kosova duhet t’i përmbushë për integrim në BE.

“Ripërtëritja e lidhjeve me komunitetin serb dhe zbatimi i të gjitha obiligimeve nga Dialogu mbeten kyçe për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimitt europian. Kemi zhvillime dinamike në rajon dhe mbetet e rëndësishme që Kosova të shfaqë mendje të hapur dhe durim strategjik”/gazetametro.net

BE i kërkon ‘Zajednicën’ në sy Kurtit, si dhe durim me Serbinë pas zhvillimeve atje

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë