Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, bëri të ditur se partia ende nuk ka përcaktuar qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive, të caktuar për 9 shtator, transmeton Gazeta Metro.
Në një konferencë për media, Gjini tha se çështja do të shqyrtohet në mbledhjen e Kryesisë së partisë, e paraparë të mbahet të martën, por mund të thirret edhe më herët nëse paraqitet nevoja.
“Nuk na ka kontaktuar askush [për pjesëmarrje në seancë]. Të martën e kemi mbledhjen e rregullt të kryesisë, nëse është nevoja, mblidhemi edhe më herët për të marrë vendim. Por, Kosova ka dalë jashtë binarëve kushtetuese. Çdo vendim që po merret sot nga institucionet është i paligjshëm”, u shpreh Gjini.
Ai kritikoi edhe kryeministrin në detyrë dhe liderin e LVV-së, Albin Kurtin, duke pretenduar se ka vepruar në kundërshtim me interpretimin e tij të mëparshëm për afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, Avni Dehari, si kryesues i seancës konstituive, ka caktuar vazhdimin e saj për të mërkurën, më 9 shtator.