Loading…

Sekretari i ri i Shtetit Blinken: Udhëheqja e Amerikës nevojitet në mbarë botën

  • 27/01/2021 | 22:04

Sekretari i ri i Shtetit Blinken: Udhëheqja e Amerikës nevojitet në mbarë botën

Kryediplomati i ri amerikan, Antony Blinken, është zotuar të punojë me aleatët kryesorë dhe vendet partnere për t’u përballur me sfida komplekse globale, ndërkohë që do të investojë në një Korpus Diplomatik amerikan me diversitet dhe gjithëpërfshirje.


Zoti Blinken u mirëprit zyrtarisht në Departamentin e Shtetit të mërkurën si sekretari i ri i shtetit nga afro 30 gra dhe burra që përfaqësojnë një pjesë të vogël të këtij shërbimi të madh.

“Udhëheqja e Amerikës nevojitet në mbarë botën”, tha zoti Blinken, duke shtuar se “do t’i rrisë vlerën diplomacisë” me vendet aleate dhe partnere për t’u përballur me sfida të mëdha, ndër to pandeminë, ndryshimet klimatike, krizën ekonomike, rreziqet ndaj demokracive, luftën për drejtësinë racore, dhe rrezikun ndaj sigurisë tonë dhe stabilitetit global” që vjen nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara.

Kryediplomati i ri amerikan gjithashtu inkurajoi paanshmërinë politike dhe transparencën.

“Do të jem i drejtpërdrejtë me ju, pasi transparenca na bën më të fortë. Do të kërkoj pikëpamje të kundërta dhe do të dëgjoj ekspertët, pasi kështu merren vendimet më të mira”, tha Sekretari Blinken në Departamentin e Shtetit.

Senati i Shteteve të Bashkuara e konfirmoi në detyrë të martën me një votim 78-22 si sekretarin e 71-të amerikan të shtetit, duke plotësuar kështu pozicionin më të lartë të kabinetit qeveritar dhe të katërtin në hierarkinë e pushtetit.

Gjatë një seance konfirmimi javën e kaluar, zoti Blinken tha se ai ishte i gatshëm të përballej me sfidat që paraqiten nga Kina, Irani, Rusia dhe Koreja e Veriut.

Ai tha se Kina “përbën sfidën më domethënëse” ndaj interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ndërsa vuri në dukje se ekzistojnë hapësira për bashkëpunim.

“Ka aspekte kundërshtare në rritje të kësaj marrëdhënieje, sigurisht konkurruese, dhe sidoqoftë disa janë edhe bashkëpunuese kur është në interesin tonë të përbashkët”, tha ai.

Kundërshtitë e ligjvënësve konservatorë ndaj zotit Blinken u përqendruan tek shqetësimet se ai mund të ndihmojë administratën e re për të rihyrë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin dhe se ai do të ndalte fushatën e “presionit maksimal” të ish-Presidentit Donald Trump kundër kësaj fuqie të Lindjes së Mesme.

“Politikat që zoti Blinken është zotuar të zbatojë si sekretar i shtetit, veçanërisht në lidhje me Iranin, do të dëmtojnë rrezikshëm sigurinë kombëtare të Amerikës dhe do ta vendosin administratën e Presidentit Biden në një kurs përplasjeje me Kongresin dhe unë nuk mund të mbështesja konfirmimin e tij”, tha senatori republikan Ted Cruz, i cili është anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Gjatë seancës së konfirmimit të tij, zoti Blinken u zotua të ringrejë moralin në Departamentin e Shtetit dhe trupin diplomatik. Ai tha se e percepton staturën e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, si të bazuar tek “thjeshtësia dhe besimi”.

“Konfirmimi i shpejtë dhe dypartiak dërgon një sinjal të fuqishëm për kombin tonë dhe botën se diplomacia amerikane dhe zhvillimi kanë rëndësi – si në skenën globale ashtu edhe këtu në vend”, tha në një deklaratë Koalicioni Global i Udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara, një rrjet me bazë të gjerë prej 500 biznesesh dhe OJQ-sh.

58-vjeçari Blinken ishte zëvendës sekretar i shtetit gjatë administratës së Presidentit Obama dhe ka lidhje të ngushta me Presidentin Joe Biden. Ai ishte drejtor i stafit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë kur zoti Biden ishte kryetar i këtij komisioni, dhe më vonë shërbeu si këshilltar i sigurimit kombëtar për atëkohë zëvendës presidentin Biden.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë