Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka sekuestruar nëntë automjete të cilat dyshohet se janë përfituar përmes veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, transmeton Gazeta Metro.
Mes mjeteve të konfiskuara figurojnë modele të ndryshme, përfshirë “Seat Leon”, “Volkswagen Polo”, “Golf 8”, “Audi A6”, “Volkswagen Jetta” dhe “Peugeot 2008 Allure”.
Autoritetet kanë vendosur gjithashtu ndalimin e përkohshëm të përdorimit të kësaj pasurie, deri në përfundim të procesit hetimor.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë”, thuhet në njoftim./gazetametro.net