Loading…

Serbia ndalon fushatën kundër pavarësisë së Kosovës për t’i hapur rrugë dialogut

  • 04/06/2020 | 15:49

Serbia ndalon fushatën kundër pavarësisë së Kosovës për t’i hapur rrugë dialogut

Burime nga Brukseli kanë bërë të ditur për Radio Evropën e Lirë në gjuhën serbe, se Serbia ka pranuar të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Sipas REL-it, autoritetet në Beograd kanë pranuar të ndalojnë me këtë fushatë me synimin që të krijohet atmosferë më e mirë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

“Si pjesë e dëshirës së mirë për të krijuar atmosferë të përshtatshme për dialog, në Beograd janë pajtuar që të mos vazhdojnë me këtë fushatë kundër pavarësisë së Kosovës”, ka thënë një burim diplomatik në BE.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut ka thënë se fushata e Serbisë është “një pyetje irrituese”.

“Duhet të ndërtojmë një frymë bashkëpunuese, e jo që mes vete të irritohemi”, ka thënë burimi për REL.

Serbia ka kohë që ka nisur fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ka njoftuar për disa tërheqje të njohjeve.

Institucionet në Kosovë në vazhdimësi i kanë mohuar këto raportime nga Beogradi.

Zyrtarët në Bruksel presin që Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, të heqë të gjitha pengesat në mënyrë që do të hapnin rrugë për rifillim të dialogut.

Hoti ka paralajmëruar qysh para zgjedhjes së tij si kryeministër, se do të heqë barrierat që po kërkohen nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Demush Shaha, drejtor i Institutit Epik, e ka mirëpritur lajmin se fushata e Serbisë do të ndalet.

“Lajm i mirë nga Brukseli. Serbia pezullon fushatën për çnjohje të Kosovës. Zhvillimet sikur ky i sotëm dëshmojnë përse Kosova duhet të insistojë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe me rol kyç të SHBA-së. Kosova dhe Serbia janë vende evropiane, të cilat dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht, çdo çështje e hapur duhet të zgjidhet në bashkëpunim me BE-në. Çdo tentativë për të mbjellë përçarje në mes të BE-së dhe SHBA-së do të dëmtojë Kosovën dhe do ofrojë hapësirë ndikimi të forcave anti-perëndimore”, ka shkruar Shasha në Facebook.

Dialogu Kosovë – Serbi ishte pezulluar në fund të vitit 2019, kur Qeveria Haradinaj, vendosi taksë 100 për qind për mallrat e Serbisë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë