Janë mbi 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës jashtë territorit të saj, nga të cilat 110 gjenden në territorin e Serbisë.Në bazë të ligjeve në fuqi, këto prona administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe shteti ku gjenden pronat përkatëse, nuk ka të drejtë t’i përvetësojë, thonë zyrtarë të Qeverisë se Kosovës dhe njohës të kësaj çështjeje.
Por, menaxhimi i pronës së Kosovës nga AKP, deri më tani ka qenë i pamundur për arsye se Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e AKP-së.
Drejtori i Bordit te AKP-së, Petrit Gashi, i pati deklaruar më herët Radios Evropa e Lirë se pronat jashtë Kosovës kryesisht gjenden në Krahinën e Vojvodinës, në territorin e ish- Jugosllavisë ndërkohë që edhe 11 prona janë të kombinatit Trepça në Serbi.
“Kosova nuk ka asnjë pronë shtetërore në Serbi dhe në vendet e tjera të ish Jugosllavisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi.
Pronën shtetërore, thotë ai, edhe Serbia sikurse shtet tjera, kanë të drejtë ta regjistrojnë në pronësi të tyre.
Edhe Mejdi Bektashi, profesor i lëndës Analiza ekonomike e së drejtës, në Fakultetin Juridik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës nuk mund të barten në pronësi të shtetit të Serbisë.
“Unë sa kam informacione, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve kosovare që kanë operuar në Serbi janë privatizuar, por edhe disa ndërmarrjet serbe në Kosovë, që më krijimin e AKP-së, ose janë privatizuar ose janë në fazën parapërgatitore për privatizim”, shprehet Bektashi.
Bektashi thekson se zgjidhja e çështjes se pronave në mes Kosovës dhe Serbisë është më e komplikuar.
Ai thotë se ky nuk është problem pronësor apo ekonomik por është problem politik, i cili mund të zgjidhet vetëm përmes suksesionit.
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se çështja e pronave në territorin e Kosovës “nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë”.