Serbia është bërë fajtore që interkonjeksioni Shqipëri – Kosovë të mos futet në funksion edhe pse për ndërtimin e tij janë shpenzuar 42 milion euro.
Ka qenë ministri i Energjisë në Shqipëri, Damian Gjiknuri i cili deklaroi se Qeveria do të kërkojë ndihmën e fuqive europiane për të zgjidhur krizën.
“Fatkeqësisht, për arsye politike kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim me gjithë lobimin tonë dhe përpjekjet tona. Unë mund të përfitoj nga rasti dhe jam i sigurt se kryeministri Rama do ta bëjë të njëjtën gjë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, që na duhet që ky proces të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale”, ka thënë Gjiknuri.
Linja e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë ka përfunduar prej disa muajsh por, ajo nuk funksionon sepse Serbia nuk njeh Operatorin e Transmetimit të Kosovës. Siq transmeton TCh ky ngërç ka shqetësuar Bashkimin Europian.
“Bashkimi Europian po pret që linja 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës të bëhet operacionale sa më shpejtë që të jetë e mundur sepse kjo do të përmirësonte edhe cilësinë e ajrit në Kosovë duke e bërë atë më pak të varur nga energjia e qymyrit”, deklaroi Jan Rudolf, i ngarkuari i BE me punë në Tiranë.