Duke e quajtur situatë absurde, arrestimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj e ka komentuar edhe ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë Enver Hoxhaj.
Gazeta Metro raporton se Hoxhaj është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës për këtë situatë të papranueshme siç e quan ai.
“Unë personalisht dhe me kolegët e mijë nga Qeveria po merremi me këtë situatë absurde prej ditës së djeshme dhe kam komunikuar tashmë edhe zyrtarisht se flet-arrestet e Serbisë janë të papranueshme”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas ministrit për Punë të Jashtme fletëarrestët e Serbisë dhe kërkesat e tyre janë të motivuara politikisht dhe provokim .
“Kërkesat e Serbisë për arrestimin e shtetasve të Kosovës dhe ish-luftëtarët e UÇK-së është një thirrje e hapur për ta tensionuar situatën në Kosovë dhe Ballkan. Kërkesat serbe të motivuara politikisht për arrestimin e qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës janë thirrje për të vepruar në mënyrë reciproke gjë që Kosova më së paku e dëshiron. Ambasadat tona në Francë dhe institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale për ta liruar z Haradinaj dhe tashmë diplomatët tanë edhe e kanë takuar atë personalisht”, thotë Hoxhaj./gazetametro.net