Loading…

Serbia rikthen dominimin e importit në Kosovë, por buxheti i shtetit mbushet nga taksat me Shqipërinë

  • 10/09/2021 | 09:21

Serbia rikthen dominimin e importit në Kosovë, por buxheti i shtetit mbushet nga taksat me Shqipërinë

Serbia ka rikthyer dominimin e importit në Kosovë gjatë këtij viti.

Vetëm disa muaj më parë importi i mallrave nga Shqipëria kishte dominuar në Kosovë, pas shumë viteve të atij të Serbisë.

Por, gjatë këtij viti, Serbia e ka rikthyer përsëri dominimin në tregun e Kosovës, ndonëse jo më siç ishte më parë, shkruan lajmi.net.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë për një rritje të importit nga ky shtet krahasuar më Shqipërinë, por buxheti i shtetit po mbushet më shumë nga importi me Shqipërinë, blerjet janë më të ulëta.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të importit 1 janar -31 gusht, në Kosovë, kanë hyrë mallra në vlerë prej 145,540. 843 euro, nga Shqipëria, ku shuma e TVSH e paguar është 23,736,728 euro.

Ndërkaq, vlera e mallit të importuar nga Serbia ka qenë rreth 21 milionë euro më shumë, ose 166, 416, 772 euro, ndërsa vlera e taksave është rreth 1 milionë euro më pak se sa më Shqipërinë, ose fiks 22,728,677 euro – TVSH.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, nuk ka treguar shkaqet se pse vlera e taksave është shumë më e lartë me Shqipërinë se sa me Serbinë, ndonëse importi është më i ulët. Por, ajo që dihet është se lënda e parë është e liruar nga taksa.

Derisa në vitin 2019, importi me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut e kishte dominuar tërësisht tregun në Kosovë, statistikat për vitin e kaluar tregojnë se tregun e Kosovës e kishte dominuar importi me Shqipërinë. Nga ky shtet ishte importuar mall në vlerë prej 177,509,255 euro, dhe TVSH në vlerë  29,022,608 euro.

Në të njëjtin vit, nga Serbia ishte importuar mall në vlerë prej 156,376,855 euro, dhe TVSH 20,407,362 euro. Importi me Serbinë ishte shumë i ulët gjatë muajve të parë të vitit 2020, derisa ishte rritur muajve të fundit.

Kjo kishte ndikuar si pasojë e vendosjes së tarifës doganore 100 për qind  në nëntor të vitit 2018, nga ish-qeveria Haradinaj.

Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, importi nga këto shtete kishte renë thuajse plotësisht.

Pas ardhjes në pushtet të qeverisjes aktuale, ishte shfuqizuar plotësisht taksa 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina me pretendimin për ta zëvendësuar atë me masat e plota të reciprocitetit tregtar dhe politik. Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës patën thënë se kjo masë bazohet në vendimin e 20 marsit, kur qeveria kishte vendosur që të lirojë nga taksa importet për lëndën e parë nga Serbia.

Megjithëkëtë, Kosova nuk ka vendosur reciprocitet me Serbinë, ashtu siç ishte premtuar.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë