Loading…

Shaban Polluzha, Amerika dhe kurdët

  • Nga

  • FITIM SALIHU

  • 21/02/2020 | 20:51

Shaban Polluzha, Amerika dhe kurdët

Sot u shënua 75-vjetori i rënies heroike të trimit nga Drenica, Shaban Polluzhës, prijësit të kryengritjes kosovare kundër pushtuesve të rinj jugosllavë në fillim të vitit 1945. Shaban Polluzha ka qenë një luftëtar i rrallë, aktiv që nga koha e Lëvizjes Kaçake në vitet ’20.


Shkruan Fitim Salihu 

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore ai do të refuzonte që të nisej me luftëtarët e tij në drejtim të frontit të Sremit për t’iu ndihmuar partizanëve të Titos. Në kohën kur kishin filluar masakrat e partizanëve jugosllavë ndaj fshatarëve shqiptarë, ai vlerësoi se më e drejtë do të ishtë të mbrohej Drenica se sa të çlirohej Sremi.

Kryengritja e Shaban Pollozhës u shtyp me gjak. Ajo që pasoi ishte një valë terrori dhe masakrash civile anembanë fshatrave të Drenicës, e cila sërishmi po i printe rezistencës aniserbe. Më 21 shkurt 1945, në një kullë të fshatit Tërstenik, duke luftuar me armë në dorë, vritet edhe komandanti i kryengritësve, trimi Shaban Pollozha.

Këtyre ditëve ështe raportuar se Shtetet e Bashkuara e kanë rritur presionin ndaj qeverisë së re kosovare për ta larguar taksën dhe për të mos e vendosur reciprocitetin. Për shumëkë kjo ishte shaka. Ata që nuk i marrin shumë seriozisht lëkundjet ose prishjet e marrëdhënieve me aleatët amerikanë zakonisht ndahen në dy grupe.

Grupin e parë e përbëjnë ata që nuk nuhasin fare nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe posaçërisht nga transformimet e befta që po ndodhin në botë në 3-4 vitet e fundit. Megallomanët që mendojnë dhe besojnë se Kosova ia del edhe vet shpikin teza fëmijërore të një farë neutraliteti. Neutralitet ndaj kujt? Mes ShBA-së dhe Rusisë?! Për të gjithë, përpos këtyre avanturierëve që politikën e shohin më shumë si ekzotike sesa si realiste, Kosova e ka të qartë orientimin, sikurse edhe përkatësinë e saj në oqeanin e madh gjeopolitik.

Grupin e dytë e përbëjnë cinikët e përhershëm. Ata që përqeshin gjithçka e nuk besojnë asgjë. Nihilistët. Ata që nuk besojnë asgjë dhe askë. Për ata Kosova është qendra e botës dhe krejt bota sillet rreth saj. Sipas tyre ShBA-ja ka aq shumë interesa të mëdha këtu sa që edhe po të donim ne të prishnim marrëdhëniet, Uashingtoni do të na përgjërohej të vazhdonim të ishim prore aleatë.

Ndonëse i përulemi trimërisë së Shaban Polluzhës dhe vepra e tij atdhetare shërbeu si frymëzim brezash gjer tek UÇK-ja, kjo kryengritje shpërfaqi edhe një pikë të dobët. “Thembra e Akilit” e Shaban Pollozhës dhe e kryengritjes së tij ishte përkrahja ndërkombëtare. Një lëvizje burimore patriotike, sado e drejtë qoftë, ka pak gjasa për të pasur sukses pa aleatë të fuqishëm.

Anipse ekzistonin kontaktet me konsullatën britanike dhe atë turke në Shkup, si kryengritja e Polluzhës, ashtu edhe aktiviteti i NDSh-së më pas, nuk ia dolën të përfitonin ndihmën e aleatëve të fuqishëm të kohës.

Jugosllavia e Titos, që po lindte ato ditë, në sytë e aleatëve që e fituan luftën shihej me respekt. E para, lëvizjes partizane të Titos i jepeshin merita të mëdha – shpesheherë të ekzagjeruara – për rolin e saj në luftën antifashiste. Së dyti, duke qenë një vend ndanë “perdes së hekurt”, Jugosllavia lakmohej nga dy blloqet e Luftës së Ftohtë, siç u dëshmua edhe më vonë kur Titoja krijoi raporte të relaksuara edhe më ShBA-në edhe më Bashkimin Sovjetik.

Për rrjedhojë, aleatët e mëdhenj antifashistë as gjenin arsye ta prishnin Jugosllavinë dhe as kishin nevojë t’i ndihmonin një lëvizje kryengritëse shqiptare që do ta kërcënonte sovranitetin e Jugosllavisë.

Historia e kaluar e kombit shqiptar, por edhe shembujt e freskët nga bota dëshmojnë të kundërtën e asaj që e thonë ata që po shprehen të ftohtë kundruall ShBA-së. Qofshin ata megallomanët e grupit të parë apo cinikët e grupit të dytë.

Historinë e Shaban Pollozhuës e përmenda qëllimisht për ta sjellur në kujtesë një përpjekje shumë fisnike, por të dështuar, për çlirim nga pushtuesi mu sepse i mungonte përkrahja ndërkombëtare.

E kundërta e saj, ndonëse vazhdimësi e saj, është përpjekja e UÇK-së, të cilës nuk i mungoi as përkrahja ndërkombëtare. Edhe më pas, më 1999 dhe 2008, koordinimi me miqtë ndërkombëtarë – para së gjithash me ShBA-të – rezultoi i frytshëm për Kosovën. Devijimi nga kjo rrugë e rrezikon stabilitetin e vetë Kosovës.

Shembujt e dëmeve për shkak të mungesës së miqve të fuqishëm janë edhe jashtë historisë sonë. Në vjeshtën e vitit të kaluar, presidenti amerikan vendosi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria veriore dhe kësisoj kryengritësit dhe populli kurd në Siri, edhe pse ishin aleatë me trupat amerikane, u la në duart e fatit, mes dy armiqsh – Erdoanit në veri dhe Asadit në jug.

Kurdët e kishin një status të ulët autonomie, por pa amerikanët e humbën edhe atë që e kishin. Ky është një shembull eklatant që aleancat nuk janë të vetëvetishme. Aleancat edhe mund të prishen. Kush mendon se një aleat i madh ka nevojë për aleatin e vogël më shumë se anasjelltas ose është cinik ose megalloman. Xhuxhi mbi super të gjigantit sheh larg. Por, vetëm mbi supet të gjigantit.

Rasti i fundit me Xhamajkën e dëshmoi nevojën e madhe të diplomacisë dhe shtetit kosovar për ShBA-të. Pa të, nuk ia dolëm ta menaxhojmë as edhe një grackë virtuale. Pësuam fiasko diplomatike. Prandaj, koordinimi me Amerikën rreth taksës dhe reciprocitetit duhet të ndodhë. Taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, por kundër Serbisë. E njëjta vlen edhe për reciprocitetin.

(Autori është politolog dhe merret me studimin e Politikave Krahasuese dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë