Loading…

Shakohoxha: Kjo që po bën FFK’ja është e pandershme, presidenti në ikje Agim Ademi ka detyrime ndaj dikujt tjetër

  • 12/08/2020 | 17:46

Shakohoxha: Kjo që po bën FFK’ja është e pandershme, presidenti në ikje Agim Ademi ka detyrime ndaj dikujt tjetër

Në kohën kur Federata e Futbollit të Kosovës nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA, vite më parë, në Kosovë zbarkoi kompania e madhe televizive “DigitAlb” për t’i dhënë “shpirt” futbollit kosovar. Tetë vjet më parë “DigitAlb” në bashkëpunim me ish-presidentin legjendar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, u dakorduan që t’i transmetojnë ndeshjet e elitës së futbollit kosovar.


Asokohe adhuruesit e futbollit kosovar patën mundësi t’i shohin nga ekranet televizive futbollistët që bënin karrierë në Kosovë dhe talentet e shumtë në vendin që nga shumëkush njihet si “Brazili i Evropës”.

Ditët e fundit ka filluar një “luftë” e hapur në mes të Federatës së Futbollit të Kosovës, që tashmë drejtohet nga Agim Ademi dhe kompanisë së madhe nga Shqipëria. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) më 5 gusht e ka hapur tenderit për shitjen e të drejtave televizive të stinorit 2020-2021 të Superligës së Kosovës në futboll. Tenderi do të mbyllet më 12 gusht, ndërsa “DigitAlb” ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë t’i transmetojë ndeshjet e kampionatit kosovar, gjë të cilën e ka bërë qysh prej vitit 2012.

Për këtë e ka fajësuar shtëpinë e futbollit kosovar për shkelje në procesin tenderues, duke ia pamundësuar “DigitAlb”-it konkurrimin me arsyetimin se është subjekt i huaj, në këtë rast nga shteti i Shqipërisë.

FFK-ja së fundmi ka reaguar për çështjen në fjalë. “Duam ta sqarojmë a janë thashethemet e qëllimshme të ngritura nga një kompani mediale rreth tenderit për shitjen e transmetimit të të drejtave televizive të ndeshjeve të Superligës. Sa për informim, kjo kompani nuk e ka kryer obligimin financiar të kampionatit të përfunduar (ka borxhe ndaj FFK-së). Me këtë rast rikujtojmë se tenderi është bërë sipas kritereve, të cilat janë marrë nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe është i hapur për të gjithë pa përjashtim; Kompanitë mediale, agjencitë dhe televizionet që i plotësojnë kriteret juridike, teknike dhe ekonomike. Ofertat shqyrtohen nga komisioni i ngritur për këtë çështje dhe fitues i tenderit shpallet kompania që ofron vlerën më të madhe financiare, shifër e cila më pas ndahet e gjitha për klubet e Superligës e të cilat do të ftohen në takim kur do ta kemi fituesin e këtij tenderi. Prandaj, zërat se FFK-ja e ka përjashtuar dikë nga gara janë shpifje, dezinformata dhe formë shantazhi për t’u përpjekur që ta përfitojnë të drejtën e transmetimeve televizive pa garë konkurruese.

Megjithatë, duhet ta dinë të gjithë se FFK-ja nuk do të lejojë shantazhe të tilla, por do të jetë gjithmonë e prerë për garë të hapur dhe konkurrencë sa më të madhe, në mënyrë që klubet të përfitojnë sa më shumë të hyra nga e drejta televizive, por njëherësh ndeshjet që transmetohen të kenë shtrirje sa më të gjerë tek audienca”, shkruhet në reagimin e FFK-së.

Ndërkohë, së fundmi është hapur debat në Kosovë për faktin se disa klube të Superligës kanë deklaruar se do t’ia besojnë të drejtuat e tyre “DigitAlb”-it.

Në një intervistë për “Zeri.info”, drejtori i “SuperSportit” dhe komentuesi i mirënjohur shqiptar Dritan Shakohoxha deklaroi se kjo që po bën FFK-ja është e pandershme.

“Kjo që po bën FFK-ja është e pandershme. Në asnjë rast nuk kam menduar në jetën time që një institucion i Kosovës e përjashton një kompani shqiptare. Nuk e kisha menduar asnjëherë që nga koha e Fadil Vokrrit kur me çunat në Prishtinë, Adin, Andinin, Artorin, Arbërin, Florimin e Leartin, do të vinim në këtë pikë. ‘DigitAlb’ ishte ‘shpirt patrioti’ dhe Fadil Vokrri asokohe nuk mendoi për biznes, por e kërkoi ndihmën e Shqipërisë që ta ndihmojë futbollin e Kosovës, ta ndihmonte futbollin e Kosovës që të dilte në televizion. Vite më parë askush nuk kishte dëgjuar dhe nuk dinte se ekzistonte një ekip si Llapi, Hajvalia ose Feronikeli. Nuk e dinte askush se ekzistonte një Milot Rashica. Ne kemi qenë të obliguar që ta promovojmë shqiptarinë. Shqiptarinë e kemi promovuar edhe kur nuk e njeh Evropa dhe kemi vazhduar ta promovojmë edhe kur e njeh”, nis bisedën Dritan Shakohoxha.

Tutje, “Shako” deklaron se “DigitAlb” ka punuar me humbje në futbollin e Kosovës, por që për këtë askush nuk bërë pishman.

“Ne kemi transmetuar ndeshje si ajo e Kosovës me Haitin në Mitrovicë, i kemi transmetuar edhe ndeshjet e ekipit shpresa të Kosovës në Zvicër. Të gjitha për ta promovuar futbollin në Kosovë. Superliga e Kosovës ka qenë si fëmijë që e kemi parë në maternitet, tash pas tetë vjetësh ky fëmijë është rritur dhe kjo FFK synon ta na përjashtojë nga tenderi me frikën se mund të japim më shumë para. Unë akoma mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Unë jam i lumtur që nuk është vetëm ‘DigitAlb’ që e do Superligën e Kosovës”, shtoi Shakohoxha.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë