Federata e Futbollit e Zvicrës ka njoftuar se për shkak të një problemi muskulor Xherdan Shaqiri nuk mund të udhëtojë për në Novi Sad për ndeshjen e ‘helvetikëve’ ndaj Bjellorusisë, transmeton Gazeta Metro.
Anësori me origjinë nga Kosova kishte qenë në dyshime për këtë takim pasi ishte lënduar në ndeshjen e fundit të skuadrës amerikane, Chicago Fire.
“Trajneri i ekipit nacional, Murat Yakin, do të jetë pa shërbimet e Xherdan Shaqirit dhe Gregor Kobelit për ndeshjet kualifikuese ndaj Bjellorusisë dhe Izraelit. Ata mungojnë për shkak të lëndimeve. Xherdan Shaqiri nuk do t’i bashkohet ekipit nacional për shkak të një problemi muskulor. Asnjë lojtar nuk është ftuar në vend të tij. Gregor Kobel do të zëvendësohet nga Jeremy Frick i Servettes”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë Zvicra e cila të hënën grumbullohet, më 25 mars do ta zhvillojë ndeshjen ndaj Bjellorusisë në Novi Sad të Serbisë dhe tri ditë më vonë e pret Izraelin në Gjenevë.
Përveç Shaqirit, kujtojmë se te Zvicra bëjnë pjesë edhe dy shqiptarë Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri. /gazetametro.net