Loading…

SHBA kërkesë Kosovës: Shtyni zgjedhjet në veri, derisa ato të mbahen pa nxitur dhunë

  • 08/12/2022 | 23:11

SHBA kërkesë Kosovës: Shtyni zgjedhjet në veri, derisa ato të mbahen pa nxitur dhunë

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar sot duke thënë se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen. Shtyrje të zgjedhjeve ka kërkuar edhe ambasadori amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier, shkruan Gazeta Metro.


Në intervistën me Zërin e Amerikës, Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, ka deklaruar ai.

Chollet tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Prishtinë dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier është shumë i përfshirë.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha Chollet.

Ndërkaq ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka thënë se SHBA është e shqetësuar se nuk ka kushte për momentin për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje”, ka thënë ai të mërkurën.

Hovenier sot ka takuar edhe dy liderët opozitarë, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, ku ka shprehur shqetësimin se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri.

Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës ka pasur incidente me armë zjarri dhe me granata. Të martën, autoritetet bën të ditur se zyrat e komisioneve komunale zgjedhore u dëmtuan nga “mjete të rrezikshme”, nga grupe dhe persona “të maskuar”.

Po ashtu, më 8 dhjetor kishte tentim të plaçkitjes së Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Incidentet më 6 dhjetor ndodhën teksa policia po përcillte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, pasi autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet për kryetarë komune në veri të Kosovës, të caktuara për 18 dhjetor.

Pas incidenteve të 6 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi shtim të prezencës policore në veri për shkak të “krimeve dhe sulmeve” në këtë pjesë të shtetit.

Policia e Kosovës tha se ka kapacitete që të menaxhojë dhe të kontrollojë situatën e sigurisë në mbarë vendin.

Në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, afër 600 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje në nëntor. Ata ishin në mesin e zyrtarëve të tjerë, përfshirë ata politikë dhe të sistemit të drejtësisë, që u dorëhoqën në shenjë kundërshtimi për një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë