Loading…

SHBA miraton përdorimin e ilaçit me antitrupa Regen-COV2 te pacientët me koronavirus

  • 22/11/2020 | 19:44

SHBA miraton përdorimin e ilaçit me antitrupa Regen-COV2 te pacientët me koronavirus

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) lëshoi të shtunën autorizimin për përdorim urgjent të terapisë me antitrupa kundër COVID-19, të kompanisë farmaceutike Regeneron, i njëjti trajtim eksperimental që iu dha Presidentit Donald Trump dhe që ai tha se e ndihmoi të shërohej nga sëmundja.


FDA-ja tha se antitrupat monoklonalë, duhet të përdoren për trajtimin e pacientëve, fëmijë apo të rritur, me simptoma të buta e mesatare të COVID-19-s, tek të cilët sëmundja rrezikon të përparojë në simptoma më të rënda. Kjo përfshin dhe trajtimin e personave që janë 65 vjeç e sipër apo ata me disa sëmundje kronike të caktuara.

Trajtimi është pjesë e një lloji barnash të njohura si antitrupa monoklonalë, që janë kopje të prodhura të antitrupave që prodhon trupi i njeriut për të luftuar infeksionet.

I ashtuquajturi “kokteji i antitrupash”, Regen-COV2, që përmban një antitrup të prodhuar nga kompania dhe një të dytë të marrë nga njerëzit e shëruar nga COVID-19, është prodhuar në mënyrë të tillë që të dy antitrupat të lidhen me proteinat e koronavirusit për ta parandaluar atë të hyjë në qelizat e shëndetshme të njeriut.

Kompania Regeneron tha të shtunën se provat klinike me pacientë jo të shtruar sugjerojnë se antitrupat monoklonalë, si REGEN-COV2, japin rezultate më të mëdha kur jepen menjëherë pas diagnozës dhe tek ata pacientë të cilët sistemi imunitar i tyre ende nuk ka reaguar ndaj sëmundjes apo me ngarkesë të lartë virale.

Kompania tha se pret që deri në fund të këtij muaji të ketë doza të mjaftueshme për trajtimin me REGEN-COV2 të rreth 80 mijë pacientëve, ndërsa në javën e parë të janarit do të ketë doza për rreth 200 mijë pacientë dhe për 300 mijë deri në fund të po atij muaji (janarit).

FDA-ja thotë se antitrupat nuk janë autorizuar t’u jepen pacientëve të shtruar në spital për shkak të koronavirusit ose që kërkojnë terapi me oksigjen për shkak të COVID-19.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë