Loading…

SHBA planifikon tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe Afganistani, brenda pak javësh

  • 18/11/2020 | 09:50

SHBA planifikon tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe Afganistani, brenda pak javësh

Pentagoni po bën plane për të kthyer në atdhe trupa të tjera amerikane brenda pak javësh, duke lënë një kontigjent prej 2,500 ushtarësh në Afganistan dhe 2,500 ushtarë në Irak deri në mes të janarit, konfirmoi një zyrtar amerikan për Zërin e Amerikës.


Reduktimet që do të tërheqin 2,000 trupa nga Afganistani dhe 500 trupa nga Iraku janë të ngjashme me planet e parashtruara në tetor nga Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien, ekzistencën e të cilave Pentagoni nuk pranoi ta konfirmonte në atë kohë.

Njoftimet për reduktime në numrin e trupave filluan të qarkullonin të hënën dhe zgjuan kritika të menjëhershme nga ekspertë, ish-zyrtarë dhe madje edhe nga një prej aleatëve më të fortë të presidentit, kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

“Nuk ka amerikan që nuk do që të kishte përfunduar tashmë lufta kundër terroristëve dhe përkrahësve të tyre në Afganistan. Por një tërheqje e shpejtuar do të dëmtonte aleatët tanë dhe do të gëzonte ata që na duan të keqen,” tha zoti McConnell.

Ai i bëri thirrje presidentit të vazhdojë të ushtrojë presion “deri kur të arrihen kushtet për mposhtjen e pakthyeshme të ISIS-it dhe Al-Kaidës”.

Pa këtë, paralajmëroi ai, largimi do të na kujtojë “tërheqjen e turpshme amerikane nga Saigoni,” i Vjetnamit në 1975 dhe do të ishte më e keqe se tërheqja amerikane nga Iraku në 2011 që u bë një ndër faktorët që ushqyen shfaqjen e Shtetit Islamik.

“Tërheqja jonë do t’u jepte zemër talebanëve, sidomos krahut gjakatar Haqqani dhe do të rrezikonte gratë e vajzat afgane duke i kthyer tek periudha e viteve 1990,” tha zoti McConnell duke iu referuar periudhës kur gratë nuk lejoheshin të arsimoheshin apo të kryenin aktivitet ekonomik jashtë shtëpisë.

Ligjvënësi republikan Adam Kinzinger tha për Zërin e Amerikës se tërheqja nga Afganistani para se të krijohen kushtet e duhura në terren “do të ishte gabim” duke shtuar se do të dëmtonte peshën që gëzon Uashingtoni në negociatat e paqes që synojnë ndaljen e konfliktit mes autoriteteve afgane dhe talebanëve.

“Në negociata gjithmonë duhet të negociosh nga pozita të forta,” tha ai.

Kur Presidenti Trump fitoi zgjedhjet në 2016 ai premtoi kthimin e trupave nga zonat e konfliktit në tokë të huaj.

Zyrtarë të lartë ushtarakë thanë se reduktimi i propozuar në kushtet aktuale është shqetësues, sidomos në periudhë tranzicioni mes administratash. Një zyrtar i lartë ngriti shqetësimin se nuk është e qartë se cilat misione do të shkurtohen, si do të shkurtohen dhe si do të ndikohen partnerët afganë.

“Ky është moment i çuditshëm; vështirë të thuash se ka një strategji të mirëfilltë pas këtyre makinacioneve,” tha një tjetër zyrtar të hënën për Zërin e Amerikës.

Presidenti Trump shkarkoi papritur Sekretarin amerikan të Mrojtjes Mark Esper një javë më parë dhe e zëvendësoi me Christopher Miller, drejtor i Qendrës Kombëtare për Kundër-Terrorizmin.

Zoti Esper i dërgoi Shtëpisë së Bardhë një letër këtë muaj ku shprehte shqetësim lidhur me tërheqjen e vazhdueshme të trupave në Afganistan, në një kohë kur dhuna vazhdon dhe bisedimet e paqes nuk duket se po përparojnë, sipas gazetës Washington Post.

Këshilltari kryesor i zotit Miller, koloneli në pension Douglas McGregor, ka bërë thirrje për tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Afganistani, si dhe për mbylljen e ambasadës amerikane në Kabul.

Rreth 4,500 trupa amerikane janë aktualisht të dislokuara në Afganistan ku SHBA është angazhuar prej afro dy dekadash për të luftuar al Kaidën dhe për të mos i lejuar kësaj organizate dhe rrjeteve të tjera terroriste të krijojnë baza të sigurta.

Zyrtarë të lartë afganë nuk po u kushtojnë rëndësi njoftimeve se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të tërheqin trupat amerikane, duke thënë se forcat vendase po kryejnë tashmë në mënyrë të pavarur thuajse të gjitha operacionet në mbarë vendin dhe varen vetëm për mbështetje të kufizuar ajrore nga partnerët e huaj.

Të martën, ministri afgan i Mbrojtjes Asadullah Khalid, në komentet para parlamentit, u përpoq të zbuste shqetësimet në vend se një tërheqje e menjëhershme e trupave amerikane do të minonte aftësinë e Afganistanit për të luftuar kryengritjen e talebanëve, duke thënë se forcat afgane të sigurisë përballojnë vetë 96% të operacioneve kundër talebanëve.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë