Asnjë marrëveshje ndërkombëtare apo donacion financiar Kosova s’do ta ketë derisa nuk formohen institucionet, thotë Ruud Vermeulen, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.
Në një intervistë për Express Vermeulen ka kërkuar urgjentisht kompletimin e reformave për çështjen e pensioneve të veteranëve të luftës. Shefi i FMN’së ndërkaq ka theksuar se Qeveria e ardhshme mund të rrisë paga brenda rregullores së faturës së re të pagave, që hyn në fuqi vitin e ardhshëm.
Express: Kosova tani e një kohë është duke u munduar ta formojë qeverinë e re. Kjo që është tani është vetëm qeveri në detyrë dhe s’ka shumë kompetenca të marrë vendime, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është funksional. Si është duke e parë tërë këtë proces FMN?
Vermeulen: Ne nuk komentojmë çështjet e proceseve politike, veçanërisht kur vonesat lidhen vetëm me matematiken zgjedhore dhe dispozitat e kushtetutës. Prandaj, Kosova duhet të vazhdojë rrugën e reformimit, dhe sa më gjatë të zvarritet formimi (i institucioneve), aq më shumë pasiguri do të ketë dhe vendimet e rëndësishme do të shtyhen edhe më shumë.
Express: A është duke e rrezikuar Kosova ndonjë marrëveshje ndërkombëtare me moskrijimin e institucioneve?
Vermeulen: Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, asnjë marrëveshje e tillë nuk mund të ratifikohet pa një parlament funksional, përfshirë çfarëdo marrëveshje financiare me donatorë bilateralë apo ndërkombëtarë.
Express: A do të ketë pasoja në të ardhmen moskrijimi i institucioneve për Kosovën?
Vermeulen: Sipas pikëpamjes sonë, do të jetë e rëndësishme të ruhen politikat financiare dhe fiskale gjatë kryerjes së reformave strukturale për ta përmirësuar konkurrencën e Kosovës dhe prospektet e rritjes ekonomike. Si pjesë e kësaj, ne mendojmë se është e rëndësishme që qeveria e ardhshme t’i përmbushë reformat e pakompletuara të pensionit të veteranëve të luftës, në mënyrë që të ruajë qëndrueshmërinë fiskale. FMN është e gatshme të angazhohet me autoritetet e reja për ta përkrahur zbatimin e politikave dhe reformave të forta, të cilat do ta mbështesin progresin e arritur në vitet e fundit dhe të sigurojnë rritje të fortë dhe gjithëpërfshirëse për të cilën Kosova ka nevojë.
Express: A do të mund të ketë rritje te pagave qeveria e ardhshme në mandatin 4 vjeçar?
Vermeulen: Po, presim se do të ketë hapësirë për rritje mesatare të pagave brenda limiteve të rregullores së faturës së pagave e cila do të futet në fuqi vitin e ardhshëm. Rregullorja parasheh që fatura e pagave në sektorin publik nuk mund të rritet më shpejt se GDP-ja formale. Brenda këtyre limiteve, ne besojmë se rritjet e pagave janë të qëndrueshme; mbi këto limite, atëherë i futemi problemeve duke e komprometuar buxhetin dhe ekonominë.
Express: Veteranët e UÇK dhe skemat sociale kanë qenë problem i qeverisë së kaluar. A do të këtë telashe me këto kategori edhe qeveria e ardhshme?
Vermeulen: Ligji për buxhetin e vitit 2017 përfshin një kufizim të hollësishëm për shpenzimet në pensionet e veteranëve të luftës për t’u siguruar se shpenzimet e tilla nuk do ta vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale. Thirrja për riklasifikimin e veteranëve të luftës në ligjin e ndryshuar për veteranët e luftës pritej t’i ulte shpenzimet në një nivel të qëndrueshëm, por një gjë e tillë ende nuk ka filluar. Prandaj, në mungesë të përshtatjeve në nivelet e pensionit apo numrit të përfituesve, buxheti nuk mund t’i mbulojë kostot e kësaj skeme. Me lejoni të jem i qartë, nuk na takon neve të vendosim se kush ka kontribuar e kush jo në luftë, por kompletimi i reformave në pensionet e veteranëve të luftës është diçka që duhet të bëhet urgjentisht për t’u siguruar se veteranët, të cilët kanë nevojë dhe i meritojnë ato, t’i marrin pensionet e tyre.