BE-ja nuk do t’i ndëshkojë kosovarët, por nëse duhet ndëshkuar dikë atëherë ata janë politikanët që nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura për plotësimin e kushteve. Kështu ka deklaruar shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, derisa shpalosi Raportin e Progresit për Kosovën. Ajo tregoi se sipas Raportit, Kosova ende nuk ka përmbushur kriterin e parë për viza që është ai për miratim në Kuvend të Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi.
“Kosova ka arritur progres të mirë në luftimin e korrupsionit dhe ka përmirësuar këtë luftë, që është parakusht për viza. Por kjo nuk do të thotë se do të futet menjëherë në zonën shengen”, tha Apostolova, derisa shpalosi Raportin e Progresit për Kosovën të Komisionit Europian, në një konferencë në Prishtinë.
“Tani Kosovës i mbetet që të plotësojë edhe kushtin e parë që është marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi”, pohoi tutje ajo, duke sqaruar se BE-ja dhe Raporti i saj nuk do t’i ndëshkojë qytetarët e Kosovës për këtë marrëveshje, por ata që duhet ndëshkuar janë politikanët që nuk po marrin veprimet e duhura.
“Nëse duam të ndëshkojmë dikë, atëherë janë ata politikanë që nuk kanë marrë veprimet e duhura për përmirësimin e këtyre kushteve”, tha Apostolova./gazetametro.net