Skuadra e Ballkanit nesër në ora 18:45 luan ndeshjen e fundit në Conference League kundër CFR Cluj në stadiumin ‘Stadionul Dr. Constantin Radulescu’. Kampioni në fuqi i Kosovës nuk ka gjasa të kualifikohet për në fazën eliminuese, kurse klubi rumun luan ndeshjen vendimtare, transmeton Gazeta Metro.
CFR Cluj në fundjavë pësoi disfatë me rezultat 2-1 si mysafir i Rapid Bucurestit në Superligën e Rumanisë, mirëpo përveç humbjes u lëndua edhe një ndër lojtarët kryesor të saj, Yuri Matias.
Presidenti i klubit, Cristian Balaj gjatë një interviste deklaroi se janë duke pritur rëntgenin për qendërmbrojtësin, ndërsa kujtoi se kishte pasur dëmtim të ngjashëm në kohën kur ishte futbollist.
”Ne jemi duke pritur për rëntgenin, atij i dhemb shumë shpatulla. E kam vuajtur një gjë të tillë dhe kam qëndruar 4 muaj derisa më është ngjitur. Shpresoj të mos jetë i njëjti problem apo i të njëjtit nivel, të cilin e kisha unë,” kishte thënë të hënën Balaj për Fanatik.
Kujtojmë se Matias kishte shënuar golin e barazimit në minutat e fundit ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e cila kishte përfunduar me rezultat 1-1.
Në anën tjetër, suharekasit janë në pozitën e fundit në grupin G me katër pikë. Derisa, CFR Cluj është në vendin e dytë me shtatë pikë aq sa ka edhe Slavia Prague. /gazetametro.net
‘CFR Cluj ne jemi duke ardhur’: Klubi i Ballkanit niset për në Rumani