Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes një komunikate për media ka reaguar, siç thuhet aty, “ndaj deklaratave të pabaza të adresuara ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan”.
Përmes kësaj komunikate, Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimi Korrrektues i ka ftuar Avokatin e Popullit dhe KMDLNJ-në që të vizitojnë Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe ta verifikojnë nga afër gjendjen e të paraburgosurve si dhe sjelljen e gardianëve.
Ky reagim vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje kishte shprehur shqetësim rreth trajtimit të personave të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në Lipjan.
Më poshtë ju sjellim reagimin e plotë të Shërbimit Korrektues:
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për deklaratat dhe akuzat e pabaza të adresuara ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se nuk ka asnjë “terrorizim” apo sjellje të pahijshme të zyrtarëve korrektues ndaj të paraburgosurve.
Të paraburgosurit nuk “po enden nëpër zyra të ndryshme” siç po pretendon Lëvizja Vetëvendosje, por po dërgohen për ekzaminime të rregullta si pjesë e procedurave të paraburgimit.
Shërbimi Korrektues ka marrë masa shtesë mbikëqyrëse dhe të kujdesit ndaj të paraburgosurve dhe kujdesi i shtuar i zyrtareve korrektues është në funksion të sigurisë së të paraburgosurve dhe asnjëherë nuk ka tendenca keqtrajtimi.
Për hir të transparencës, Ministria e Drejtësisë fton Zyrën e Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-në që të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe të verifikojnë gjendjen e të paraburgosurve dhe sjelljet e zyrtarëve korrektues.” / gazetametro.net