Publicisti Veton Surroi në intervistë për televizionin N1 ka thënë se është e domosdoshme gatishmëria e palëve të ndryshohet narracioni i konfliktit të vazhdueshëm dhe si interes e synim të të dy palëve e thekson tregun e përbashkët rajonal. Surroi shtoi se është bërë punë shkel e shko nga bashkësia ndërkombëtare këto 11 vite në proces të dialogut, transmeton Gazeta Metro.
Në emisionin Iza Vesti të televizionit N1, publicisti Veton Surroi i pyetur rreth ngjarjeve të fundit dhe deklaratave kontradiktore të të dy liderëve, si të Kosovës dhe të Serbisë, edhe pas ujdisë për targat në Bruksel tha se sipas tij ekziston ende një këndvështrim i gabuar në të dy shoqëritë.
“Problemi është se nga cili kënd, cili këndvështrim po shikojmë. Është fakt se po flasim 30 vite pas rënies së murit të Berlinit, 24 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, e ende po bisedojmë për fundin e konfliktit, apo themelimin e shoqërisë demokratike, vendosjen e paqes. Pra po jetojmë në konflikt një çerek shekulli. Tani pyetja a do të nënshkruajmë marrëveshje në mars, apo jo, nuk duket aq e realizueshme…mendoj se është e nevojshme të arrihet paqja, por pyetja që duhet shtruar është se a ka gatishmëri dhe a ka kushte për të negociuar” tha Surroi në hyrje.
Ai shtoi se për marrëveshje mes palëve duhet të ketë gatishmëri të të gjithë pjesëmarrësve në proces.
“A do të hyjmë në marrëveshje për paqe, apo do të negociojmë për targa e letërnjoftime? Ne po kalojmë nga një krizë në tjetrën, në menaxhim të krizave dhe kjo po ndodh tash e 11 vite” tha Surroi.
Ai tha se Beogradi e Prishtina jetojnë në një konflikt të papërfunduar dhe shton se gjenerata që ka lindur në kohën e luftës në Kosovë sot kanë 24 vite.
“Janë rritur në narracionin e konfliktit, dhe kjo e vazhdon konfliktin. Në vend se gjeneratat para tyre ta mbyllnin konfliktin, vijnë gjenerata që janë të gatshme për konflikt, dhe vazhdim të tij” tha ai.
Ai ka shtuar se duhet gjetur një kontekst që do të nënkuptonte vendosjen e marrëdhënieve normale mes Beogradit dhe Prishtinës dhe si të dallohet ajo që po mungon në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Surroi konsideron se procesi i bisedimeve sa ishte Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, ishte ‘i cekët në intelekt’, dhe fajësoi bashkësinë ndërkombëtare se ka kryer një punë të dobët në atë kohë kur u sfidua nga gazetarja serbe se në kohën e Thaçit kishte më shumë gatishmëri për dialog se tani nën pushtetin e Kurtit që po grindet dhe e quan një shtet jo normal Serbinë si mund të ketë përparim.
“Kur keni një proces plogësht intelektual që nuk ka rezultate është evidente se ishte i cekët” ku ndërhyn gazetares e cila shtoi se ndoshta iu konvenonte të dyja palëve cekëtina e tillë, me të cilën u pajtua Surroi.
“Është e qartë se bashkësia ndërkombëtare e ka kryer shkel e shko këtë punë që nga fillimi”.
Surroi nuk iu referua proceseve negociatore të mëhershme ku ishte vetë pjesëmarrës dhe, si në Rambuje dhe në Vjenë që edhe sollën planin Ahtisari ku është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që kundërshtohet nga kryeministri Kurti.
Kur u pyet nga gazetarja se si e komenton tani atë që kryeministri Kurti ka qasje tani fyese ndaj Serbisë dhe pret që të negociojë me atë palë për normalizim, duke i kujtuar Surroit se ai vetë ishte ankuar më 2019’në për qasjen përbuzëse të politikanëve serbë për politikanët kosovarë.
Refuzoi të komentojë deklaratat e kryeministrit Kurti por tha se “është evidente se marrëdhëniet janë anormale dhe se nuk do të shkohet drejt një normalitet nëse ndryshohet narracioni” duke iu shmangur pyetjes.
“Duhet të dalim nga narracioni i tanishëm, që është vet shkatërrues për rajonin, nga i cili duhet dalë në një narracion që është për transformimin dinamik të rajonit. Mundësia e vetme e transformimit të rajonit është tregu i përbashkët, dhe projektimi i një tregut të përbashkët rreth një synimi, që do të ishte i ndryshëm tërësisht nga ky komunikim që e kemi tani. Nëse shtetet e projektojnë një të ardhme të përbashkët, atëherë ndryshon edhe narracioni, në kuadër të një të ardhme të përbashkët.”
Surroi tha se nuk e di se çka ka në propozimin e francez-gjerman për dialogun dhe shtoi se kjo është një tentim i ri për negociatorët evropianë dhe këta në rajon “që të përqendrohen në atë që do të mund të ndryshonte atë paradigmë”, por nuk e mohoi se është këshilltar në procesin e dialogut për qeverinë kosovare kur iu Vucevic iu referua ashtu.
“Mënyra për të ndryshuar këtë rajon është caktimi i një synimi të përbashkët që do të jetë transformues. Dhe i vetmi synim që po e shoh është ky i procesit të Berlini, që është treg i përbashkët rajonal.”
Gazetarja Danica Vucevic tha se kjo i ngjan një Ballkanit të Hapur që Surroi shtoi se ngjasojnë por më i përafërt është Procesi i Berlinit. Vucevic shtoi se kjo i tingëllon si një ardhme e largët pasi tani serbët lokal në Kosovë kanë braktisur institucionet.
“Nëse vazhdojmë e merremi me këtë ka mundësi që edhe 20 vite do të merremi me këtë” duke iu kthyer argumentit të ndryshimit të narracionit. Pasi gjithmonë do të ketë ndonjë problem diku.”
Ai kthye tregut të përbashkët rajonal dhe rregullimit të tregut e si do të dukej kjo me shembuj të produkteve bujqësore, kajmaku i Uzices e djathit të Sharrit përsëri duke e shmangur çështjen e kokëfortësisë së kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic.
Veton Surroi ishte raportuar se është propozuar si kandidat i Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal promovon bashkëpunimin e ndërsjellë dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Evropës Juglindore me qëllim të inkurajimit të zhvillimit në rajon për të mirën e qytetarëve të tij.
RCC u formua zyrtarisht më 27 shkurt 2008 si pasues i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore./gazetametro.net