Kjo shfaqje përmban gjuhë dhe skena eksplicite dhe mund të mos jetë e përshtatshme për disa spektatorë apo/edhe persona nën moshën 18 vjeç. Fotografimi apo xhirimi gjatë shfaqjes është rreptësisht i ndalueshëm.
“Bordel Ballkan” është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri ballkanik “Bordel Ballkan” flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore nga i cili vuajmë në këto anë. Drama shpërfaqë një lloj besimi të rremë të cilin ia mveshim vehtes si një rrobe e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenje të vetëdijshme.
E përkundrazi, kjo dramë, në tërësinë e saj, na dëshmon të kundërtën: që në neve gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne, kokëfortësish, nuk jemi të vetëdijshëm. Dhe prandaj, ne vazhdojnë të prodhojnë heronj të rrejshëm, histori të rrejshme dhe të tanishme të rrejshme. Të tanishmen e shohim turbull e edhe më turbull e shohim të ardhmen.
Personazhet e shfaqjes i nënshtrohen fatit dhe të pafuqishëm lundrojnë drejt palumturisë e shkatërrimit. Në “Bordel Ballkan” interpretojnë Astrit Kabashi, May-Linda Kosumoviç, Adrian Morina, Armend Baloku, Semira Latifi, Armend Smajli, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi dhe Adhurim Demi. Muzika e kësaj shfaqje është punuar nga Irena Popovic, skenografia nga Zeni Ballazhi, kostumet Yllka Brada, instrumentistë: Alzan Gashi, Drin Tashi, Xhemail Gllavica, koreografia nga Sinan Kajtazi, asistente Arta Selimi dhe dizajni i dritave: Sherif Sahiti e Mursel Bekteshi.
OVL e UÇK-së tashmë ka njoftuar se do ta pengojë shfaqjen e saj, meqë, siç kanë thënë – fyen luftën tonë çlirimtare.
Të premten, më 28 prill, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet premierë “Bordel Ballkan” nga Jeton Neziraj, me regji të Andras Urban, ndërsa reprizën do ta ketë më 29 prill, dhe 2, 22, 23 dhe 24 maj, të gjitha në orën 20:00.