Një 60-vjeçar nga Pensilvania e SHBA-së ka arritur një rekord të pazakontë botëror, duke ndjekur plot 1,207 filma në kinema brenda vetëm 12 muajve.
Glenwood Hoskin Jr. ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ka tejkaluar dukshëm rekordin paraprak prej 777 filmash, të mbajtur nga Zachariah Swope.
Sfida e tij nisi në prill të vitit 2024 dhe përfundoi në prill të vitit 2025. Gjatë kësaj periudhe, ai ka parë mesatarisht 3.3 filma në ditë, duke e kthyer vizitën në kinema në pjesë të përditshmërisë së tij.
Hoskin tregoi se çdo mëngjes kontrollonte oraret e shfaqjeve dhe organizonte ditën në mënyrë që të ndiqte sa më shumë filma, nga mëngjesi deri në mesnatë.
Fillimisht, ai kishte menduar të synonte një tjetër rekord, por më pas vendosi të përqendrohej te numri më i madh i filmave të shikuar në kinema brenda një viti.
Mes filmave që i lanë përshtypje të veçantë përmendi “The Wild Robot” dhe “Deadpool & Wolverine”. Ai tha se në këtë maratonë kinematografike nuk kishte hasur ndonjë film që ta kishte zhgënjyer plotësisht.