Loading…
Shirokë: Plazhe në ujë të ëmbël
  • 20/06/2019 | 15:36

Shirokë: Plazhe në ujë të ëmbël

Zogaj dhe Shiroka janë dy pika turistike që shtrihen pranë liqenit të Shkodrës, duke ofruar mundësi relaksi nën ushqimin dhe traditën shkodrane, transmeton Gazeta Metro.


Vetëm 12 kilometra larg qendrës së qytetit të Shkodrës, Zogaj ka një plazh të mrekullueshëm, që laget nga uji i liqenit të Shkodrës. Relievi i ulët kodrinor, prania e mjaft gjireve të vegjël shkëmborë, plazhet me zhavorr e gjelbërim, klima shumë e shëndetshme, e ndikuar nga prania e liqenit dhe malit, e bëjnë Zogajn një plazh të pëlqyeshëm. Plazhi i Zogajt ka filluar të frekuentohet pas viteve 1990, pasi më parë aty ishte zonë kufitare, e ndaluar për t’u përdorë për pushime. Bashkë me Shirokën, e cila ndodhet përpara se të shkohet në Zogaj, ato përfshihen në qytetin e Shkodrës si lagje periferike të saj, edhe pse më parë njiheshin si fshatra.

Plazhi i Shirokës është shfrytëzuar mjaft para viteve ‘90, ku qytetarët shkodranë dyndeshin aty çdo ditë, duke përfituar nga të qenit fare pranë qytetit. Aktualisht, Shiroka shfrytëzohet pak si plazh. Numri i pushuesve është i vogël, ka një hotel dhe vitet e fundit janë ndërtuar edhe disa kabina private, që jepen me qira për 10 mijë lekë në 15 ditë. Në Shirokë ka mjaft biznese që kanë drejtim shërbimin në lokale luksoze e cilësore, pasi kjo pikë pranë liqenit frekuentohet gjatë gjithë vitit nga turistë ditorë vendës e të huaj.

Plazhi i Zogajt, duke qenë më pak i shfrytëzuar, ofron mjedise deri diku të virgjëra e të pëlqyeshme. Në dispozicion të pushuesve janë shtëpitë e banorëve, janë banesa tipike me shkallë të gurta, oborre të rrethuara dhe kryesisht me dy kate. Banorët e zonës kanë profesion kryesor peshkimin, dhe këtë ua ofrojnë edhe pushuesve që kanë dëshirë të zënë peshk. Gratë janë të njohura edhe jashtë vendit për punimin e qilimave; sot ka disa biznese të vogla të kësaj fushe në Zogaj.

Pushuesve u afrohet edhe shumëllojshmëri perimesh e frutash të freskëta të zonës, si dhe nënprodukte të tyre, si reçelëra të ndryshme, thanak, pistil, pekmezi etj., që janë tradicionale dhe origjinale.  Për pushuesit banorët ofrojnë edhe shëtitje me varka, shëtitje në mal etj. Gatimi karakteristik i zonës është tava e krapit, e cila pëlqehet mjaft, sidomos nga të huajt.

Numri i pushuesve në Zogaj, shkon nga 300 deri në 500 veta, të cilët pushojnë në periudha dyjavore, ndërsa ka edhe mjaft pushues ditorë. Çmimet e dhomave në banesat private shkojnë deri në 10 mijë lekë për dy javë, ndërsa në hotelin e vetëm që ndodhet këtu çmimet janë 18 mijë deri 20 mijë lekë për 15 ditë, me dhoma të pajisura me kushtet e nevojshme. Tre vitet e fundit vërehet një prirje për të bërë këtu ndërtime të vogla private, kryesisht familjare. Lokalet e shumta janë të pranishme në këtë zonë.

Nga ura e Bunës e deri në Shirokë e Zogaj ka mbi 50 lokale, një pjesë e të cilave, ato që ndodhen në krah të liqenit, kanë shkallë që zbresin nga rruga në plazh, ku kanë bërë zgjerime të pjesshme, si dhe vende parkimi për automjetet. Para viteve ’90, në rrugën e Shi rokës ishin ndërtuar gjire të vegjël pranë plazhit për pushuesit, që në atë kohë ishin të shumta, pasi në Zogaj nuk lejohej të shkohej, sepse ishte zonë kufitare e ndaluar.  Këto gjire funksionojnë përsëri për pushues ditorë, që shkojnë aty edhe me biçikleta.

Problem për këtë zonë turistike është se ajo nuk i ka përparësitë e plazheve të tjera, siç është Velipoja. Energjia elektrike këtu, këto dy muaj nuk ka munguar. Ndriçimi i rrugëve këtu mungon, edhe pse janë lagje të qytetit dhe pika turistike. Këto plazhe buzë liqenit, që mbajnë emrin e qytetit, ofrojnë peizazhe piktoreske, klimë të shëndetshme, afërsi me qytetin, qetësi dhe çlodhje. 

Në Shirokë çmimet janë të arsyeshme, ku fjetja për një natë kushton 2400 lekë apo 20 euro. Ushqimi tradicional në këtë vend turistik kushton rreth 600 lekë apo 5 euro, ku në meny të saj hyn mishi i pulës dhe mishërat e tjerë.

Për të ngrënë një pjatë me fruta deti, që përmban midhje, karkaleca dhe kallamari, do të ju kushtojë vetëm 600 lekë apo 5 euro. Për të shoqëruar ushqimin me një birrë, ju duhet të paguani një të tillë nga 120 deri në 180 lekë, gjë që varet nga prodhuesi i birrës./gazetametro.net

Më të fundit
...
  • 18/07/2019 | 23:39
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë