Loading…

Shkelje flagrante nga FFK, e përziejnë edhe UEFA’n

  • 30/11/2020 | 14:57

Shkelje flagrante nga FFK, e përziejnë edhe UEFA’n

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ka shkelur rregulla e akte juridike në dy raste të ndryshme. Dhe, në këto shkelje e ka përzier edhe UEFA-n.


Shkelja e parë ka të bëjë me Kuvendin e Punës së FFK-së, i cili ishte thirrur për t’u mbajtur më 20 dhjetor. Por që Komiteti Ekzekutiv vendosi ta shtyjë këtë kuvend për vitin e ardhshëm, ndryshe prej asaj që e ka kërkuar shteti.

Ministria e Sportit para pak javësh e ka lëshuar një qarkore, përmes së cilës i obligon të gjitha organizatat sportive që deri në fund të këtij viti t’i mbajnë Kuvendet e Punës që nuk i kanë mbajtur për vitin 2019 shkaku i pandemisë. Kurse, në fillim të vitit 2021 ka kërkuar të mbahen zgjedhjet në të gjitha federatat dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) për ciklin olimpik 2021-2024.

Mirëpo, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka vendosur që Kuvendin e Punës, të cilin do të duhej ta mbante brenda këtij viti, ta shtyjë për vitin 2021. Madje, FFK nuk merret fare me udhëzimin e Ministrisë së Sportit duke u arsyetuar se për këtë shtyrje është koordinuar me UEFA-n.

“Komiteti Ekzekutiv vendosi që të shtyjë Kuvendin e Punës, i cili ishte paralajmëruar për 20 dhjetor. Një vendim i tillë u mor në koordinim me UEFA-n për shkak të situatës me pandeminë si dhe për faktin se FFK është në proces të digjitalizimit dhe platforma online ende nuk është e gatshme. Kësisoj, Kuvendi i Punës do të mbahet në vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Por, FFK po e bën edhe një shkelje tjetër, duke e përzier me UEFA-n. Sipas rregulloreve të garave të FFK-së, respektivisht nenit 6, vendimi për ndryshim të sistemit të garave bëhet më së voni një vit para fillimit të garave, raporton Gazeta Express

Kurse, FFK në parim ka vendosur qysh tash – në mes të këtij edicioni për edicionin e ardhshëm – rreth formatit të garave për kampionatin e radhës në Ligën e Parë.

Pasi e ka marrë një kërkesë nga klubet e kësaj lige që edhe në edicionin e radhës në këtë kategori të mos ndryshojë formati i garave, FFK në parim e ka pranuar këtë kërkesë. Por, zyrtarisht thotë se do të vendos pasi të koordinohet me UEFA-në nëse formati i kampionatit të ardhshëm do të ndryshoj apo jo.

“Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe kërkesën e klubeve të Ligës së Parë drejtuar këtij organi që edhe edicionin e ardhshëm kjo ligë të vazhdojë me formatin e njëjtë të garave. Në parim Komiteti Ekzekutiv e mbështeti këtë kërkesë, por ajo do të analizohet edhe një herë dhe në koordinim me UEFA-n do të merret vendimi i duhur”, thuhet në njoftim të FFK-së.

Por, në fakt federatat anëtare të UEFA-s kanë të drejtë t’i zgjedhin sistemet dhe formatet e garave kampionale që ato i vet i vlerësojnë si më të mira dhe më të përshtatshme për vendet e tyre. Aq më pak UEFA merret me formatet e kategorive të garave më të ulëta.

Vet FFK kur e kishte zvogëluar Superligën nga dymbëdhjetë në dhjetë skuadra kishte thënë se ky vendim është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i saj, pa e përmendur fare UEFA-n në atë njoftim. “Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe njëherë formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe mori vendim që Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë, thuhej në atë njoftim.

Kurse, drejtuesit e saj potenconin se formati i ri i Superligës është vendosur në shërbim të interesit të futbollit. “Interesi i futbollit kosovar është që Superliga t’i ketë dhjetë skuadra dhe çështja e zvogëlimit të numrit të skuadrave të Superligës as që duhet të vijë në diskutim“, pati deklaruar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë