Festivali i Luleve, i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme kulturore në Shkodër, e ka shndërruar qytetin në veri të vendit në një oaz ngjyrash dhe aromash.
Mes stendave me lule, organizimeve artistike nga bashkia Shkodër, me pjesëmarrjen e kultivuesve të luleve, nxënësve, të rinjve, biznese e organizata, të gjithë këto elementë e kthejnë këtë aktivitet në një ndër më të veçantët për qytetin.
Ky festival do të zgjasë deri në 6 maj dhe është konceptuar si një festë me lule, muzikë, panair dhe treg festiv. “Festivali i Luleve” është një nga aktivitetet më të bukura pranverore në veri të Shqipërisë, që sjell ngjyra, art dhe atmosferë festive në Shkodër.
Ky organizim zhvillohet në zonën qendrore si Pedonalja e Shkodrës dhe hapësira të tjera publike.