Në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve skuadra e Shkupit ka shënuar fitore me rezultat 3-0 ndaj Lincoln Red Imps, transmeton Gazeta Metro.
Në stadiumin ‘Toshe Proeski’ në Shkup vendasit kanë arritur të fitojnë bindshëm pasi që mposhtën skuadrën nga Gjibraltari me rezultat 3-0.
Golin e avantazhit për Shkupin e shënoi sulmuesi, Mamadou Danfa, në minutën e 11’të, ndërsa për të dyfishuar epërsinë u përkujdes lojtari kryesor i skuadrës, Sunday Adetunji, i cili realizoi në minutën e 29’të.
Edhe gjatë pjesës së dytë ishte skuadra e drejtuar nga Goce Sedloski e cila tregoi paraqitje më të mirë dhe në minutën e 62’të gjeti edhe golin e tretë pas autogolit të realizuar nga Roy Chipolina, duke bërë kështu një hap të madh për të kaluar në fazën tjetër.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 12 korrik në Gjibraltar dhe skuadra që kalon tutje do të përballet në rundin tjetër kundër Dinamo Zagreb. /gazetametro.net