Shoqata e Mërgimtarëve ka organizuar protestë për ditën e nesërme në Berlin, kundër spiunit rus, Aleksey Kondatyev si raportues për Kosovën, transmeton Gazeta Metro.
Ky organizim bëhet i ditur përmes një postimi në Facebook nga organizata ‘Love EU’, të cilët bënë thirrje për të kundërshtuar zgjedhjen e mundshme të ish’pjesëtarit të shërbimit sekret rus si raportues për Kosovën në kuadër të Këshillit Evropian.
Marshi do të fillojë gjatë ditës së nesërme (e enjte), duke filluar nga ora 9:00, në Berlin pranë Bundestagut Gjerman.
Postimi i plotë:
‘Të dashur bashkatdhetarë, Duke kundërshtuar zgjedhjen e mundshme të ish-pjesëtarit të shërbimit sekret rus Aleksey Kondratyev si raportues për Kosovën në kuadër të Këshillit të Evropës, më 14 nëntor (e enjte), në Berlin, para Bundestagut Gjerman do të protestohet me moton LOVE EU, not GRU #notGRU. Protesta do të fillojë në orën 09:00 në këtë adresë: Deutscher Bundestag: Marie Elisabeth Lüders Haus Adele Schreiber Krieger Straße 1’.
Sipas të dhënave të siguruara nga institucionet e sigurisë nga Metro, kandidati rus për raportues për Kosovën ka qenë pjesë e shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë, i njohur si GRU, në kuadër të kontigjentit rus të KFOR’it në Kosovë gjatë vitit 2001.
Mirëpo, në këtë kohë dyshohet se ai ka qenë i përfshirë në një skandal, i cili pati përfunduar me plagosjen e tij dhe të një qytetari shqiptar të Kosovës. /gazetametro.net