Komuna e Podujevës e ka shpërblyer me tender prej rreth 36 mijë euro, kompaninë e vëllait të shoferit të tij. Tenderi për furnizim me letër të bardhë iu dha kompanisë “Fusha”. Lidhjen familjare e ka pranuar edhe vet shoferi i kryetarit, Agron Fusha, i cili ka thënë se nuk ka asnjë ndikim në këtë tender. Për këtë, nga komuna e Podujevës kanë thënë se kompania është përzgjedhur për shkak se ka mbetur e vetmja në garë. Kritika kanë hedhur nga opozita dhe shoqëria civile.
Komuna e Podujevës, në krye me Shpejtim Bulliqin, i ka bërë favor vëllait të shoferit të tij, Agron Fusha.
Kjo komunë e ka shpërblyer me tender kompaninë N.T.P “Fusha”, pronar i së cilës është Sylejman Fusha, vëllai i shoferit të kryetarit Bulliqi.
Kanal10 ka siguruar dokumentet të cilat tregojnë se Agron Fusha, është shoferi i kryetarit, derisa dokumenti tjetër tregon se kompania në pronësi të vëllait të tij, ka fituar tenderin për furnizim me letër të bardhë.
Ky tender në vlerë prej 35 mijë e 582 euro e 20 centë, është nënshkruar më 29 shtator të këtij viti.
Për këtë, Kanal10 ka provuar të kontaktojë me kryetarin Shpejtim Bulliqi, por ai ka sugjeruar që përgjigjet të kërkohen nga Zyra e Prokurimit, duke refuzuar të flasë lidhur me këtë tender.
Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim nga Komuna e Podujevës kanë thënë kompania në fjalë është përzgjedhur pasi që ofertuesi i parë ishte tërhequr.
“Ky operator ekonomik ka qenë ofertuesi i dytë më i lirë, por për shkak se ofertuesi i parë më i lirë është tërhequr nga ofertimi për shkak të pamundësisë së realizimit të kësaj kontrate. Andaj, Zyra e Prokurimit dhe Komisioni i Vlerësimit të ofertave bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik i ka ofruar operatorit të dytë dhënien e kontratës”, thuhet në përgjgijen e Komunës së Podujevës.
Kurse, shoferi i kryetarit, Agron Fusha ka pranuar se është vëllai i pronarit të kësaj kompanie, derisa ka mohuar se ka pasur ndonjë ndikim që ai ta fitonte tenderit mbi 35 mijë euro nga komuna e Podujevës
Kanal10 ka tentuar të kontaktojë edhe me kompaninë Fusha, por kontakti me pronarin e saj, ta ka qenë i pamundur.
Kritika për këtë tender ka pasur nga opozita e LDK-së në Podujevë, duke thënë se arsyetimet e komunës për përzgjedhjen e kësaj kompanie janë të paarsyeshme.
Kurse, Shemsi Jashari nga organizata “Demokracia fillon këtu”, e quan si jo të rastësishme përzgjedhjen e kësaj kompanie nga komuna e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.
Komuna e Podujevës, edhe muaj më parë është përmendur dhe kritikuar për favorizimin që i kishte bërë një kompanie farmaceutike, me rastin e një tenderi për furnizim me barna.