Ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili ishte dënuar nga EULEX’i i kishte ikur dënimit duke ikur në Suedi, ku qëndroi për disa vite për t’u kthyer para pak ditësh në Kosovë, pas parashkrimit të dënimit me burg, shkruan Gazeta Metro.
Ikja e tij nga drejtësia dhe kthimi i lirshëm në Kosovë nxitën reagime e debate. Këtu u përfshi edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili tha dje përmes Facebook që kthimi i Zharkut është i turpshëm.
Pikërisht përmes Facebookut dhe ndaj komentit të ambasadorit britanik reagoi edhe kryetari i PSD’së, Shpend Ahmeti, i cili tha që ligji e mbulon mirë edhe pjesën që ka të bëjë me rastet si ky i Zharkut. Ahmeti ka thënë që në këtë rast pati një mosaplikim të qëllimshëm të ligjit.
“E çmoj shumë reagimin tuaj për këtë rast. Nuk mendoj që ka hapësirë në ligj, por ka pasur mosrespektim të qëllimshëm të ligjit për këtë rast. Ai ishte dënuar për një akt kriminal dhe aplikimi i ligjit do të duhej të ishte i lehtë në një rast të argumentuar nga EULEX’i”, ka shkruar Ahmeti. Më pas ai ka publikuar edhe pjesën e ligjit që lidhet me rastin e Zharkut. /gazetametro.net
Ambasadori britanik reagon ashpër për kthimin e Zharkut, e quan të turpshëm kthimin e tij