Loading…
Shpërblehen sportistët dhe trajnerët: Kjo është shumë që morën ata nga MKRS’ja
  • 23/05/2019 | 14:20

Shpërblehen sportistët dhe trajnerët: Kjo është shumë që morën ata nga MKRS’ja

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni të organizuar në kabinetin e tij, ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistë dhe trajnerë.


Ndarja e këtyre shpërblimeve u bë sipas dispozitave të Rregullores Nr. 15/2013 për Ndarjen e Shpërblimeve Shtetërore për Sportistët që Arrijnë Rezultate Kulminante në Garat Ndërkombëtare.

Xhudistja Erza Muminoviq shpërblehet me 10,000€, për Medaljen e Bronztë në Xhudo në Lojërat Olimpike për të Rinj në kategorinë -44 kg, të mbajtur në Buenos Aires të Argjentinës.

Xhudisti Akil Gjakova shpërblehet me 5,000€ për Medaljen e Artë në Xhudo në Kampionatin Evropian U 23 të Xhudos në kategorinë -73 kg, të mbajtur në Gyor të Hungarisë.

Xhudistja Loriana Kuka shpërblehet po ashtu me 5,000€, për Medaljen e Artë në Xhudo në Kampionatin Evropian U 23 të Xhudos në kategorinë -78 kg, të mbajtur në Gyor të Hungarisë.

Ndërkaq, Driton Kuka, trajner i Kombëtares së Kosovës në Xhudo, shpërblehet me 5,500€ si trajner i xhudistes Erza Muminoviq dhe me nga 2,500€ si trajner i sportistëve Akil Gjakova dhe Loriana Kuka.

Karateisti Melos Gashi shpërblehet me 3,500€ për Medaljen e Argjendtë në Karate, në Kampionatin Evropian për Kadet Junior  dhe U 21 të Karatesë në kategorinë +70 kg, të mbajtur në Aalborg të Danimarkës. Ndërkaq trajneri i tij, Muhamet Rexhepi, shpërblehet me 1,750€.

Karateistja Albulena Gërvalla shpërblehet me 2,000€ për Medaljen e Bronztë në Karate në Kampionatin Evropian për Kadet Junior dhe U 21 të Karatesë në kategorinë -55 kg, të mbajtur në Aalborg të Danimarkës. Ndërkaq trajneri i saj, Isak Curri, shpërblehet me 1,000€.

Me këtë rast ministri Gashi tha “Është kënaqësi e veçantë për mua si ministër që në këtë ceremoni t’i ndajmë këto shpërblime dhe mbështetjen tonë financiare për sportistët dhe trajnerët më të mirë. Jemi të vetëdijshëm si Ministri që mundi dhe puna juaj nuk shpaguhet me mjete financiare, megjithatë këto shpërblime janë motivim shtesë”.

Tutje, ministri Gashi tha se “Synimi jonë është që t’i mbështesim sportistët dhe trajnerët që me punën dhe angazhimin e tyre janë duke e promovuar shtetin e Kosovës. Unë i quaj ambasadorë të Kosovës sepse tashmë jemi mësuar ta shohim flamurin të ngrihet në shumë vende të tjera, madje ata po na bëjnë krenarë edhe në vendet që nuk e njohin Kosovën”.

“Është fat i mirë që gjatë vitit aktual kemi ngritur buxhetin për mbështetjen e sportistëve dhe të trajnerëve me një ngritje prej 120%, sepse fokusi dhe përkushtimi jonë ka qenë që t’i dalim në mbështetje financiare të gjithë sportistëve dhe trajnerëve po edhe gjitha të llojeve të sporteve dhe besoj që të gjitha këto rezultate janë edhe meritë e një angazhimi tonë të përbashkët mes Qeverisë, trajnerëve dhe klubeve të cilat po korrin suksese”, tha ministri Gashi.

Ai shtoi se “janë këta sportistë që na kanë sjellë medalje gjatë vitit 2018 dhe 2019 dhe gjithë këto rezultate kanë emrat e mbiemrat dhe një nder ta është trajneri Driton Kuka që i ka sjellë mbi 50 medalje Kosovës”.

Sportistët dhe trajnerët që morën këto shpërblime falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen. Trajneri Driton Kuka  tha se “viti 2018 shquhet me dy ngjarje të rëndësishme, gara në Hungari dhe Gara Olimpike për të Rinj. Prezenca jote ministër ka shënuar diçka të rëndësishme. Për herë të parë në lojëra olimpike Erza na ka shpëtuar fytyrën, jemi kthyer me një medalje të bronztë. Përkushtimi yt për ngritjen e kushteve dhe mundësive për sportistë është në nivel shumë të lartë” u shpreh trajneri Driton Kuka. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë