Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar situatën brenda LDK-së pas dakordimit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidatin presidencial.
Muharremi ka akuzuar Kurtin se ka arritur të përçajë LDK-në përmes kësaj marrëveshjeje.
“A ju kujtohet sa herë e ka përsërit shoku AK që “nevojiten 85 a 86 deputetë me zgjedh presidentin, se mundet me dështu…” Pastaj thojke “duhet siguri ma e madhe, nuk shkohet me 80 deputetë aty me dështu”. E tash, përnjëherë, disa besojnë që ai ka shku me zgjedh presidentin me fiks 80 vota, e disa prej tyre shumë të pasigurta qysh në start? Ata që nuk e kanë kuptuar që kjo është lojë politike e zvarritjes për me shku në zgjedhje përsëri, e sidomos një projekt i fajësimit të LDK-së dhe ndarjes së saj, janë naivë në politikë. Tash plani i tij u arrit 100%, me ndihmën e disa personave që duket se e kanë kidnapuar LDK-në, se kjo parti ma nuk po punon për interesat e saj dhe të Kosovës, por vetëm për interesat e disa individëve”, ka shkruar ai.
Tutje, sipas tij, bllokadës në vend po i kontribuojnë edhe disa figura të LDK-së që, sipas tij, janë të konsumuara dhe të humbura, e që krejt çka mendojnë është me qenë në funksione e pozita dhe me pas qasje në resurse publike.
“Njerëzit që kanë kontribuar gjatë në LDK duhet me mendu dhe me gjetë zgjidhje që këtë parti me e kthy në vetveten e saj, në origjinalen e saj, dhe me u fokusu në kauza, parime dhe qëllime për Kosovën. LDK nuk është më vetja, duket si një degë e LVV-së e ngjashëm sikur GUXO, asgjë më shumë. Disa njerëz aty duken argat të Kurti e LVV-së e edhe të dreqit se dame edhe Kosovës po i shkaktojnë, jo vetëm partisë së tyre”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Analisti Kurtin e ka cilësuar si “kasap të LDK-së”, ndërsa thotë se ai e arriti qëllimin e tij maksimalisht me ndihmën e disa personave që ia mundësuan me e përça dhe nda edhe më shumë partinë, vetëm se donin pushtet për vete. E kështu i shkaktuan dëme të mëdha edhe partisë, edhe Kosovës.
“Tani, nëse ka njerëz që besojnë në projektin dhe idenë e LDK-së tradicionale dhe orgjinale, është kohë e fundit me shpëtu këtë parti nga kidnapimi dhe zyrtarizimi si vegël e degë e Kurtit dhe LVV-së”, përfundoi ai.