Loading…

Shqipëria drejt ‘kolapsit’ ekonomik, BERZH: Plakja dhe largimi i të rinjve sfidë kryesore për tregun e punës

  • 06/04/2026 | 19:21

Shqipëria drejt ‘kolapsit’ ekonomik, BERZH: Plakja dhe largimi i të rinjve sfidë kryesore për tregun e punës

Shqipëria po përballet me një boshllëk demografik të jashtëzakonshëm, pasi gjatë 35 viteve të fundit ka humbur rreth 40% të popullsisë së saj, sipas Raportit të Tranzicionit 2025–2026 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), titulluar “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, shkruan Gazeta Metro.


Raporti thekson se largimi masiv i qytetarëve dhe plakja e popullsisë kanë ndikuar thellë në ritmet e zhvillimit ekonomik. Përveç se tkurr fuqinë punëtore, kjo situatë dëmton edhe stabilitetin e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe e vendos vendin nën presion afatgjatë.

Për periudhën 2024–2050, ndikimi ekonomik i këtyre tendencave pritet të shënojë humbje vjetore nga –0.3 deri –0.4 pikë përqindje, duke renditur Shqipërinë ndër ekonomitë më të cenueshme në rajon. Parashikimet për periudhën 2050–2100 nuk japin shenja përmirësimi, pasi tkurrja e popullsisë dhe mungesa e të rinjve do të vazhdojnë të frenojnë zhvillimin ekonomik.

“Në shumicën e ekonomive postkomuniste, fertiliteti i ulët dhe emigracioni neto i lartë kanë qenë shkaqet kryesore të rënies së popullsisë. Në rastin e Shqipërisë, e cila përfitoi nga rritja e peshës së popullsisë në moshë pune deri në vitin 2023, kostoja e plakjes vlerësohet në 0.28 pikë përqindje, çka përkthehet në një rënie prej 0.53 pikë përqindje krahasuar me dividendin mesatar demografik të përfituar gjatë periudhës 2000–2023”, thuhet në raport, raporton a2cnn.

Në raport evidentohet gjithashtu se rreth 23% e të arsimuarve shqiptarë kanë emigruar, duke krijuar një deficit të madh të ekspertizës dhe forcës punëtore. BERZH paralajmëron se pa investime në teknologji, avancimin e aftësive profesionale dhe përmirësimin e klimës së biznesit, emigracioni do të mbetet pengesë kryesore për ekonominë shqiptare edhe në tre dekadat e ardhshme./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë