Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve “Beta”, ka thënë se Serbia po e përdor “Shqipërinë e Madhe” për legjitimimin e “Serbisë së Madhe”.
Kjo është një fantazmë që Serbia e mban gjallë dhe e ushqen për shkak se i shërben interesit të saj për legjitimimin e Serbisë së madhe, e cila tani funksionon nën hundët e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Duke folur për deklaratën e tij se nëse BE i mbyll dyert Ballkanit Perëndimor, atëherë do ketë bashkim të Kosovës me Shqipërinë, Thaçi ka thënë se e ka përsëritur atë që ëshët thënë qe një kohë të gjatë, se mungesa e lidershipit dhe vizionit në Bruksel po i hap rrugë ideologjive dhe ndikimeve të tjera në rajon, nacionalizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit politik.
“Në të njëjtën kohë po lejon që në Ballkan të shtrijnë ndikimin e tyre shtete të tjera që kanë agjenda të kundërta me ato që kemi ne. Ne dëshirojmë që të forcojmë paqen dhe stabilitetin në shtetin tonë dhe në tërë rajonin tonë. Prandaj angazhohemi që sa më parë të anëtarësohemi në NATO dhe në BE. Por, edhe NATO dhe veçanërisht BE-ja duhet të bëjnë çdo gjë që tërë rajonin ta afrojnë sa më shumë dhe sa më shpejtë. Vetëm duke u afruar me BE-në, vetëm duke e parë qartë në horizont perspektivën evropiane për rajonin, do të mund t’u bëjmë ballë kërcënimeve të ideologjive tjera. Asnjëherë nuk e kam përmendur Shqipërinë e madhe në diskursin tim politik”, ka thënë Thaçi duke shtuar se një gjë e tillë është krijesë e Serbisë dhe një fantazmë që Serbia e mban gjallë dhe e ushqen për shkak se i shërben interesit të saj për legjitimimin e Serbisë së madhe, e cila tani funksionon nën hundët e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për transformimin e FSK’së, dhe ka thënë se ky tanimë është proces që ka nisur dhe nuk mund të ndalet. /gazetametro.net