Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 80 vota buxhetin për vitin 2017 pas diskutimeve nen për nen në Parlament, ndërsa opozita kundërshtoi dhe nuk mori pjesë në votim.
Në total buxheti 2017 është 436 miliardë lekë (3 miliardë e 224 milionë euro), në të cilin Qeveria ka parashikuar edhe rritjen e pagave dhe pensioneve duke filluar nga 1 marsi 2017.
Lëvizja Socialiste për Integrim kishte bërë kërkesë që dhënia me koncesion e laboratorëve spitalorë të hiqej nga buxheti 2017 dhe këto para të përdoreshin për të financuar projekte të tjera.
Mirëpo, ky propozim i LSI u rrëzua nga deputetët e Partisë Socialiste.
Gjithashtu, u miratua edhe ligji i ri për akcizat, ku përfshihet edhe ajo e gazit për makinar që pëson rritje të çmimit. Në fillim LSI ishte kundër akcizës për gazin, por më pas ra dakord me mazhorancën për uljen e propozimit fillestar. /gazetametro.net