Shqipëria po bën një hap të madh drejt rregullimit të Inteligjencës Artificiale, me një projektligj të ri që parashikon rregulla të qarta për kompanitë dhe gjoba të larta për shkelësit, transmeton Gazeta Metro.
Nisma e hartuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), synon ta përafrojë vendin me standardet e Bashkimit Evropian në një nga sektorët me zhvillimin më të shpejtë teknologjik.
Sipas draftit, sistemet e Inteligjencës Artificiale do të kategorizohen sipas nivelit të rrezikut, ndërsa kompanitë që përdorin teknologji me rrezik të lartë do të kenë detyrime shtesë.
“Për teknologjitë që konsiderohen me rrezik të lartë, kompanitë do të duhet të garantojnë mbikëqyrje njerëzore, cilësi të të dhënave dhe monitorim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre”, thuhet në draft.
Përveç kërkesave të reja, projektligji parashikon edhe masa ndëshkuese për ata që nuk respektojnë rregullat.
“Kompanitë që përdorin praktika të ndaluara të Inteligjencës Artificiale mund të përballen me gjoba deri në 40-150 milionë lekë ose deri në 7 për qind të xhiros vjetore, në varësi të rastit. Autoritetet do të kenë kompetenca mbikëqyrëse dhe kontrolluese. Qëllimi është garantimi i përdorimit të sigurt dhe transparent të teknologjisë”, thuhet në reagimin e AKSHI-së.
Nëse merr dritën jeshile, ligji do të krijojë bazën e parë të plotë ligjore për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri, duke synuar të balancojë inovacionin teknologjik me mbrojtjen e qytetarëve dhe konkurrencën e ndershme në treg./gazetametro.net