Në maj të këtij viti, edhe Kosova do të jetë pjesë e një fushate kulturore që zhvillohet në shtetet e Evropës Juglindore.
Për këtë ka njoftuar ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Miljan Majhen, i cili në takim me zëvendësministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, sqaroi se Kosova është pjesë e kësaj fushate, në kuadër të së cilës pritet të mbahet një koncert me artistë nga Sllovenia e Kosova.
Të dy u pajtuan për organizimin e një ngjarjeje të këtillë në Kosovë, e cila është një mundësi që të përçohen vlerat kulturore të vendit tonë dhe të bëhet një promovim edhe më i madh i Kosovës në BE.
Ndërkaq, zëvendësministri Hoti e vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin që shteti slloven ka me Kosovën, dhe e çmoi konkretizimin e projekteve të përbashkëta kulturore. Ai shprehu gatishmërinë e MKRS-sëpër të promovuar vlerat kulturore të Kosovës përmes përkrahjes së organizimeve dhe nismave të ndryshme, që është edhe një prej politikave të ministrisë.
Ndërkohë edhe ambasadori slloven Majhen, e falënderoi zëvendësin Hoti për gatishmërinë e shprehur, që shkëmbimin e përvojave në aktivitetet dhe organizimet kulturore ta finalizojnë në projekte të përbashkëta konkrete. Ambasadori slloven e informoi zëvendësministrin Hotin për organizimin e një fushate kulturore e cila do të zhvillohet në fillim të muajit maj në shtetet e Evropës Juglindore ku përfshihet edhe Republika e Kosovës, si një rast për të transmetuar vlerat kulturore të rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian./gazetametro.net