Loading…

Shqiptarët, të katërt në Evropë për pirjen e duhanit (Foto)

  • 09/02/2017 | 09:20

Shqiptarët, të katërt në Evropë për pirjen e duhanit (Foto)

Që shqiptarët janë një popull duhanpirës, dhe nuk heqin dorë nga vesi, edhe pse ai po bëhet gjithnjë më i shtrenjtë, këtë e konfirmojnë tashmë edhe statistikat krahasuese në nivel evropian.


Sipas një vëzhgimi të ‘Project Sun’, të kryer nga firma audituese KPMG, Shqipëria renditet në vendin e katërt në Evropë, për sa i përket shitjeve të cigareve për person në moshën mbi 15 vjeç. Mirëpo, çka bie në sy, është se në këtë studim nuk është përfshirë Kosova.

Me rreth 2000 fije cigare në vit të shitura për person, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Maqedoninë, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2016 (shih grafikun).

kpmg

Më duhanpirës sesa shqiptarët e maqedonasit, në Evropë janë vetëm bullgarët, me rreth 2300 fije në vit, që renditen të parët, e po ashtu edhe fqinjët grekë, me rreth 2200 fije.

Në përgjithësi, të gjithë vendet e Ballkanit gjenden në zonën e kuqe, si Mali i Zi, Serbia e Sllovenia. Në Evropë, ata që pinë më pak duhan janë suedezët, me rreth 700 fije cigare për frymë në vit, të ndjekur nga norvegjezët, anglezët e holandezët.

Në Shqipëri, çmimi mesatar i një pakete cigare me 20 fije është 1.8 euro, ndërsa në Maqedoni është shumë më e lirë, vetëm 1.09 euro, ndërsa në Serbi ajo kushton 1.63 euro . Në raport me vendet e tjera, gjithsesi një paketë cigare në Shqipëri është më e lirë. Në Greqi është 3.71 euro, në Itali 4.66 euro, ndërsa në Gjermani 5.34 euro.

Në Britani, një ndër vendet ku konsumohet më pak duhan, një paketë kushton më shumë se 10 euro. Edhe në Norvegji për një paketë duhet gati 11 euro. Në Suedi, vendi ku konsumohet më pak, çmimi i paketës nuk është aq i shtrenjtë sa në dy vendet e tjera, por luhatet në 5-6 euro.

Më e lirë cigarja është në vendet baltike, ku p.sh në Ukrainë kushton 0.58 euro,  në Rusi 0.83 euro dhe në Moldavi 0.66 euro.

Të dhënat globale tregojnë se në përgjithësi shtetet evropiane kanë nivelin më të lartë të duhanpirjes në botë. Nga shtetet e kontinenteve të tjera, në listë është Kina, Libani, Koreja e Jugut, me rreth 2 mijë fije për frymë në vit. Dy shtetet që pinë më pak cigare në botë janë Uganda, Ishujt Solomon, Guniea, me më pak se 50 fije për frymë në vit./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë