Loading…

Shqyrtimi javor i librit, ‘’Dita e mbetur’’ – Kazuo Ishiguro

  • 03/08/2020 | 20:04

Shqyrtimi javor i librit, ‘’Dita e mbetur’’ – Kazuo Ishiguro

Problemi i parë që të sillet nëpër mend sapo fillon ta lexosh këtë roman të nobelistit britanik me prejardhje japoneze, Kazuo Ishiguro, është ai i përkthimit. “The Remains of a day’’ është përkthyer në shqip me titullin ‘’Dita e mbetur’’. Në qoftë se përkthyesi me “Dita e mbetur’’ nuk ka nënkuptuar pjesën e mbetur të ditës, së cilës i referohet titulli origjinal (pra jo një dite të mbetur, por të mbeturave të një dite), atëherë kemi të bëjmë me një problem thelbësor përkthimi. Në qoftë se ky titull e shënjon pikërisht atë kuptim, atëherë kemi të bëjmë me një mungesë qartësie që do të qe mirë të ishte sqaruar qoftë nga përkthyesi qoftë nga botuesi.

Sidoqoftë, për të mos u zgjatur në këtë çështje, ‘’Dita e mbetur’’ e Kazuo Ishiguros, në një rrëfim në vetën e parë (që është zakonisht një infrastrukturë letrare që e krijon kontekstin për një rrëfim më meditativ) na shpërfaq rrëfimet mbi dinjitetin të një shërbëtori (mazhordomi, që është një term që përfaqëson më shumë klas sesa thjesht shërbëtor, dhe në libër mund ta shihni pse kjo është e rëndësishme). Dinjiteti është qendra e këtij rrëfimi dhe, siç ndodh jo rrallë, dinjitetin ai e përjeton si një mësim atëror, si një veti që del nga figura e babait të tij, gjithashtu mazhordom.

Stevens, personazhi narrator, niset në një udhëtim në ish-vendin e tij të punës në pjesën tjetër të Anglisë, pasi merr një letër nga ish-bashkëpunëtorja e tij, zonja Kenton. Zonja Kenton, një ish-shërbëtore në shtëpinë e Lordit Darlington, që e kishte lënë punën për t’u martuar këtu e njëzet vjet më parë, i dërgon një letër Stevens-it nga e cila letër ky i fundit nënkupton se martesa e saj po shembet dhe se ajo do të donte t’i kthehej postit të saj paraprak në shtëpinë Darlington e cila tani është nën pronën e zotit Farradei, një amerikan.

Stevensi dhe Zonja Kenton përfaqësojnë dy modele të ndryshme shërbimi: Stivensi është një shërbyes vetëmohues i cili e shtyp mendimin dhe emocionet e veta në favor të padronit dhe mirëqenia e të cilit është ekskluzivisht e varur nga mirëqenia e personit të cilit i shërben. Narrativi është mjaft i çuditshëm pasi sipas Stivensit, dinjiteti i një shërbyesi varet nga sa verbërisht shërben. Pra, është një përftim pak a shumë i kundërt me idenë e zakonshme që e kemi për dinjitetin, si një virtyt që varet nga të qëndruarit për veten dhe për idetë në të cilat besojmë.

Stivensi në anën tjetër, nuk shquhet për bindje të vetat, pos një bindjeje: asaj se i zoti duhet mirëkuptuar në pothuajse çdo rrethanë. Kjo vërehet edhe në qasjen që ai ka ndaj Darlingtonit, ish-shefit të tij, reputacioni i të cilit është pothuajse i rrënuar sepse ka shërbyer si ndërmjetës mes britanikëve dhe nazistëve gjermanë me shpresën se me Hitlerin duhej negociuar dhe gjetur marrëveshje paqësore. Kjo pjesë e romanit gjithashtu na e sjell para syve një fakt interesant: shumë lehtë, dhe jodomosdoshmërisht me fajin tonë, mund të gjendemi në anën e gabuar të historisë dhe të rrënojmë kësisoji çkado që kemi ndërtuar paraprakisht.

Edhe më tutje, shërbesën e vet Stivensi e çon kur, për dallim prej Darlingtonit serioz, Farradei, shefi i ri, është njeri më i shoqërueshëm të cilit i pëlqen të bëjë shaka me të cilat vetë Stivensi, i mësuar me një tjetër model shërbimi, nuk ndihet rehat. Megjithatë, i shtyrë nga ideja për shërbim sa më të denjë, ai përpiqet të ambientohet me shkathtësitë sociale të shefit të tij të ri, të cilat patjetër se nuk janë pika e tij e fortë.

Për ta dëshmuar sa vetëmohues është Stivensi, kemi skenën në të cilën zonja Kenton hapur i thotë se mbase jeta e saj do të ishte më e lumtur po të qe martuar me të, e megjithatë Stivensi nuk i shpreh prapë ndjenjat e shtypura erotike për të, të cilat i ka mbajtur në vete prej kohësh.

Nëse këtë libër nuk e gjeni në libraritë e qyteteve tuaja, udhëtoni në qytete tjera. Nëse nuk ju pëlqen përkthimi, merreni variantin anglisht apo të cilësdo gjuhë që e njihni. Por kurrsesi mos e lejoni veten të mos e lexoni.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë