Loading…

Shqyrtimi javor i librit: El Verdugo, nga Honore de Balzak

  • 23/03/2020 | 21:42

Shqyrtimi javor i librit: El Verdugo, nga Honore de Balzak

Nisja e një serie të shqyrtimeve javore të librit, që për 4 javë me radhë, duke e numëruar edhe këtë javë, do t’i dedikohet letërsisë franceze, nuk është e pamenduar. Natyrisht, të tilla nisma, në kuadër të Metro Librit, do të bëhen edhe për letërsi të tjera nacionale, ashtuqë të krijohet një hartë, sadopak e qartë, e konteksteve letrare të botës nëpër kohët kur u shkruan librat e shqyrtuar.

Ide e mire apo jo, kjo seri është e pamundur të imagjinohet, në kontekstin e letërsisë franceze, pa njërin prej shkrimtarëve më reprezentativë të kësaj letërsie. Honore De Balzak, mbetet i painjorueshëm në pamjen e madhe të letërsisë franceze dhe jo vetëm, të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Arsyeja pse është zgjedhur novela “El Verdugo” (shqip “Xhelati”), është se, sipas mendimit tim, nuk bën pjesë në tekstet fort të njohura të Balzakut në vendin tonë.

Historia është e vendosur në qytezën spanjolle të Mendës, në kohën e Luftës Peninsulare (Lufta Peninsulare ka ndodhur nga 2 maji I vitit 1808 deri me 17 prillin e vitit 1814).
Qyteza e Mendës ishte nën kontrollin e garnizonit francez, të komanduar nga oficeri i ri Viktor Marshan, i cili është I dashuruar me Klarën, të bijën e Markez Leganit spanjoll. Duke përfituar nga një festival, në Mendë u organizua një kryengritje ndaj garnizonit francez, nga spanjollët me aleancë angleze. I paralajmëruar nga Klara, Viktori shpëton dhe ikën. Por, vetëm pak ditë më pas, duke e pasur parasysh faktin që spanjollët dhe anglezët nuk ishin mire të organizuar, qyteti rimerret në kontroll nga francezët. Tani Viktor Marshani i ri, duhet të ndeshet me gjyq për dezertim. Këtu Balzaku, ndonëse shkrimtar më tepër përshkrues sesa mendimtar, ngrit pikëpyetjen e rëndësishme e tepër të vjetër të kërkesës bazë të njeriut: asaj për mbijetesë.

Por, edhe më mire se në këtë rast, instinkti i mbijetesës dhe debatet morale që e shoqërojnë atë, do të ilustrohet në vazhdim të novelës. Të kapur nga francezët, Markez Legani dhe spanjollët e tij, detyrohen të bëjnë marrëveshjen e fundit me pushtuesin. Markezi i kërkon përfaqësuesit francez që familjarëve të tij t’iu pritet koka në vend se të varen, dhe që i biri i tij, Huanito, të kursehet. Krejt kjo me qëllim të moshumbjes së vazhdimësisë familjare. Francezët pranojnë, por vetëm me kushtin që ekzekutimin e tij dhe të familjarëve tjerë, ta kryej vetë Huanito. Kështu, Huanito, nga i biri për të cilin familja luftonte ta shpëtonte, duhet të kthehet në xhelatin e të vetëve. A ia vlen vërtet? Pikëpyetja është e rëndë dhe nga ky udhëkryq nuk ka rrugë të fitores. Është e çuditshme sesi në këtë pikë, e mira më e madhe që mund t’ia bëjë Huanito familjes së tij, është t’i vrasë. Përndryshe, të vrarë se të vrarë do të jenë të gjithë dhe familjes do t’i humbasë vazhdimësia. Balzaku, mjaft mjeshtërisht e ka përdredhur historinë, ashtuqë personazhi të vijë në një pike ku vrasja makabre e familjes së vet të konsiderohet nder dhe e mire. Çështja komplikohet kur edhe Klarës i vjen një dilemë pak para vdekjes: Viktor Marshani është në gjendje t’ia shpëtojë jetën, nëse ajo pranon të martohet me të. Klara këtu shpërfaq një refuzim mjaft të dinjitetshëm, ndonëse çmimi për t’u paguar, është që shpata e të vëllait t’ia hedhë kokën tutje.

Huanito, megjithatë, nuk bëhet dot aq zemërgur, dhe nuk e ekzekuton dot nënën, të fundmen e viktimave. Këtu autori na jep pamjen e një raporti nënë-bir, që e tejkalon instinktin e natyrshëm të mbijetesës. Nëna megjithatë, për t’ia shpëtuar jetën të birit, bën vetëvrasje duke kërcyer nga lartësia.

Huanito mbetet vetëm. Për faqet e mbetura të novelës,  pesha e tij e fajit,  është më e madhe se ç’mund të mbahet. Ndonëse shpërblehet duke iu dhënë zyrtarisht detyra e xhelatit, në përshkrimin e dhimbjes së tij, Balzaku ka derdhur mjeshtrinë e tij të pendës.

I shkruar me përshkrime të gjata allabalzak, me një dramacitet në rritje e stil mjaft të qartë, El Verdugo përbën një pike të rëndësishme të prozës së Balzakut, “Komedisë Njerëzore” të jetës franceze të kohës.

Në këto kohë izolimi, Balzaku është një vlerë me të cilën mund ta ushqeni kohën tuaj. Një tekst I shkurtër, por I fuqishëm, me në qendër njeriun: ankthet, hakmarrjet, përmbysjet e tij.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë