Loading…

Shqyrtimi javor i librit: Serotonina, Michel Houellebecq

  • 12/07/2020 | 20:35

Shqyrtimi javor i librit: Serotonina, Michel Houellebecq

Michel Houellebecq është një autor i kontraversës. Ai është i tillë, jodomosdo me qëllimin e tij. I përmendur disa herë nëpër shtyp si ‘’profeti ogurzi’’, në romanet e Houellebecq-ut ndodhën, para se të ndodhnin në realitet ngjarjet e mëdha si protesta e jelekverdhëve në Francë, sulmi terrorist ndaj revistës franceze Charlie Hedbo dhe sulmet e famshme të 11 shtatorit në SHBA.

Houellebecq megjithatë, ndonëse autor mjaft i njohur, ka qenë pjesë e debateve që e kanë bërë të diskutueshme figurën e tij. Kur vendosa të shkruaja për të, e lexova edhe një artikull të shkruar në prestigjiozen ‘The Guardian’ pikërisht për këtë vepër. Artikulli m’u duk më tepër për autorin sesa për veprën.

Sidoqoftë, për t’iu kthyer thelbit, këtë javë e diskutojmë librin ‘Serotonina’ të Michel Houellebecq. Libri në të cilin ndodh protesta e madhe në Francë, e në të cilën vdesin 10 veta, i parapriu protestës që në realitet ndodhi muaj pas daljes së librit në vend, e ashtuquajtura ‘’protesta e jelekverdhëve’’.

Vepra trajton ecejaket e Floro-Klod Labrust, një nëpunës francez i cili tërë jetën ia ka kushtuar bujqësisë, bioteknologjisë dhe agrokimisë. Ai përfshihet në nismën për të promovuar djathin francez në tregun europian. Por kjo është vetëm sipërfaqja e librit. Në të vërtetë, kjo ngjarje shërben vetëm si shtrati mbi të cilin ndërtohet e gjithë analiza dhe reflektimi i narratorit mbi Bashkimin Europian, globalizmin e narrativat e tjera të mëdha që ai i ironizon siç vetëm Houellebecq di.
Raporti që ndërton kjo ngjarje me analizat e tij është pak a shumë si raporti që ndërton më vonë fakti që personazhi është nën antidepresant me kujtimin për të dashurat e së shkuarës. Antidepresanti që ai merr supozohet t’ia ngrisë nivelin e Serotoninës (hormoni i lumturisë), por ia ulë ndjeshëm libidon (dëshirën seksuale). Kësisoji, ai i vihet kontemplimit të historive të dashurisë si të ishte lamtumira e tij e fundit nga ky domen i jetës.

Kritikat me të cilat është ndeshur Houellebecq si pasojë e teksteve të tij, mes të cilave edhe Serotonina, është kritika për seksizëm, racizëm  e  çka jo tjetër. Pothuajse çdo kauzë politike e ideologjike në botë e ka problemin e vet me letërsinë e Houellebecq-ut. Por, letërsia është e tillë çfare është pikërisht sepse ka arritur të ndërtojë një status nga i cili i shpërfill këto zhurma. Dhe Houellebecq, patjetër se është prej shembujve të qartë të kësaj.

Disa prej skenave të cilat japin mjaft material për analizë janë: pendesa e thellë e personazhit në raport me njërën prej ndarjeve të tij, dëshira e tij iracionale për ta kthyer një ish-të dashur tjetër qoftë edhe duke e vrarë fëmijën e saj, mohimi që e bën para mjekut të tij të çuditshëm, doktor Azotit, kur ky i fundit e pyet nëse ka mendime vetëvrasëse, etj., etj.

Secila prej këtyre skenave na e shpërfaq një personazh në krizë. I tillë çfare është, ai nuk mund të çajë kokën për asgjë të rëndësishme sepse, në fakt, asgjë s’i duket e rëndësishme. Ai e shkërmoq çdo moral, ligj a pritshmëri shoqërore, për të na futur në zgripat më të thellë të qenies.

Për dallim prej autorëve që i krijojnë personazhet në shërbim të ngjarjes, Houellebecq është mes atyre që e krijojnë ngjarjen në shërbim të personazhit. Personazhi, eksplorimi i tij, sinqeriteti brutal i këtij eksplorimi dhe mundësia e lexuesit për të qenë i sinqertë me veten si rrjedhim, janë shumë më të rëndësishme për Hoellebecq-un sesa që mund të jetë një ngjarje argëtuese.

Me Houellebecq-un mund të argëtohen vetëm ata lexues për të cilët letërsia është më shumë se argëtim. Ky konstatim mund të jetë ironik, por njësoj ironike është e gjithë letërsia e këtij autori.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë