Loading…

Shqyrtimi javor i librit, “Siddharta”, Hermann Hesse

  • 28/06/2020 | 22:12

Shqyrtimi javor i librit, “Siddharta”, Hermann Hesse

Ideja e krejt projektit të shkrimeve javore për librin ka qenë që të bëhet një balanc mes komentimit të literaturës shqipe dhe asaj të huaj të përkthyer në shqip. Duke qenë se javën e kaluar shkrova për vëllimin me tregime “Kthimi i profetit” të autorit të talentuar Adil Olluri, këtë javë kam zgjedhur të shkruaj për një vepër të njohur të letërsisë botërore, “Siddharta” nga Hermann Hesse.


Shkruan: Azem Deliu

Për rrethanë të jashtme, vlen të thuhet se romani u botua në vitin 1922. Skena letrare dhe jo vetëm letrare në Gjermaninë e kohës ishte shumë e ndryshme nga ajo që solli Hermann Hesse me “Siddharten” e tij. Parë në stil, si edhe në refleksionet meditative që i prezenton, tentimi për të gjetur përgjigjet e mëdha jetësore që kalojnë nga një narrativ ideologjik në tjetrin, mund t’i ngjajë lexuesit me disa vepra të letërsisë botërore, po patjetër edhe me vepra të letërsisë shqipe. Romani “Pse?” i Sterjo Spasses është nga veprat e krahasueshme me romanin që po trajtojmë, por jo si identitet letrar (forma, stili, personazhet), por si identitet filozofik (kërkimi për përgjigjen përfundimtare, të paarritshmen, të pamundshmen).

Siddharta është djali i një Brahmani të njohur që e ka një jetë relativisht të mirë dhe pritet të jetë pasardhësi i denjë i të atit. Ai e ndjen, që në fillim të librit, që ndonëse mësuesit (duke përfshirë babain), i kanë dhënë gjithë ç’mund t’i jepej, nuk i kanë dhënë mjaftueshëm. Kësodore, ai kërkon t’i bashkohet grupit të Samanëve, për të cilët përgjigja për gjetjen dhe iluminimin përfundimtar të vetes është te asketizmi (besim sipas të cilit heqja dorë nga kënaqësitë e trupit dhe materiales është rruga e duhur). Duke mos dashur ta prek fenomenin e njohur si spoilers e së këndejmi t’ia neveris lexuesit librin duke e mbytur enigmën, nuk do të zgjatem me ngjarjen.

Po prek megjithatë dy-tre pika të pashmangshme për ta analizuar tërësinë. Siddharta, i gatshëm të heqë dorë nga gjithçka që nuk i shërben misionit të tij përfundimtar, heq dorë edhe nga Samanët dhe bindet që lumturia gjendet përmes kënaqësive të trupit. Heq dorë edhe nga kjo, ndonëse qe bërë mjaft i pasur, sepse as kjo nuk i mjafton. Pra, qartazi na shpërfaqet një person të cilin nuk e kënaq asgjë. Takohet me Budën, të shumënjohurin dhe personin për të cilin thuhet se e ka arritur iluminimin dhe s’ndahet i kënaqur as në atë rast.

Pasi takohet edhe me Vasudevën, një tjetër udhërrëfyes shpirtëror, Siddharta merr vesh se përgjigja nuk kërkohet dot tek të tjerët. Ai e përjeton iluminimin përfundimtar nga lumi dhe Vasudeva vetë, i bindur në këtë proces, shpërngulet në pyll duke ia lënë lumin Siddhartës. Në fund të romanit, miku i fëmijërisë i Siddhartës, Govinda, shkon të kërkojë iluminim te “njeriu i mençur pranë lumit” pa e ditur se ky i fundit është vetë Siddharta. Se çfarë ndodh aty, natyrisht nuk do ta zbuloj.

Ajo që është me rëndësi të thuhet, është se Siddharta si personazh, e edhe “Siddharta” si roman, mund të na shërbejnë edhe në ditët e sotme për ta parë relativitetin e të gjitha “përgjigjeve të mëdha” që të gjitha ideologjitë i synojnë, ose pretendojnë se i kanë. Si për ironi, atë që s’ia mësojnë dot më të diturit e vendit, Siddhartës ia mëson lumi.

Me të gjitha standardet, edhe si gjykim estetik, por edhe në vështrim përmbajtësor, Siddharta është një roman që ia vlen kohën tuaj.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë