Loading…

Shtatë elemente të romanit “Shtatë udhë”

  • 20/06/2019 | 12:15

Shtatë elemente të romanit “Shtatë udhë”

Romani i parë i Rrahman Paçarizit tashmë ka trokitur në dyert e lexuesit. Kapitulli i parë i romanit fillon me formulën e famshme shqiptare: “Ooo i zoti i shpisë!”.


Përveç kuptimit të parë, që ngërthen edhe etikë sjelljeje publike të kodit zakonor, kjo formulë mund të interpretohet edhe kështu: Thirrje lexuesit të pranojë në mendjen e vet një botë narrative e personale të krijuar nga fjalët. Bota e krijuar në këtë roman ndahet në dy pjesë të rrëfyera nga narratori autorial. Pjesa e parë janë kujtime e përjetime të fëmijërisë dhe rrëfimet për to. Pjesa e dytë, ndërkaq, janë përjetime, përvoja, mendime e imagjinatë e autorit të rritur dhe rrëfimet për to. Kështu, në këtë roman me makrostrukturë dyshe, shtatë rrëfime të fëmijërisë ndërlidhen me shtatë rrëfime të pjekurisë. Shtatë udhët lëvizin në dy linja, ose, nëse doni, lëvizin në binarë. Kemi pra katërmbëdhjetë rrëfime në dy vija, si vijat në udhën me borë që gjendet në kopertinë të romanit. Një shtatëshe e shprehur qartë në titull dhe shtatëshja tjetër që do të zbulohet gjatë leximit të romanit.

Romani troket në dyert e lexuesit, por, pse mund ta lexojë ai? Në një intervistë, shkrimtari i madh amerikan, Paul Auster, shprehet se bota nuk ia asnjë borxh shkrimtarit; e ka pasur për çështjen e leximit. Si duhet ta kuptojmë këtë? Proza artistike duhet ta prekë lexuesin. Lexuesi duhet ta gjejë veten diku në radhët e tekstit. Para do kohe kam thënë se letërsia është njeriu, gjuha dhe imagjinata. Nëse një vepër letrare ka diçka nga këto, sadopak, edhe mund ta gjejë lexuesin. Nëse nuk i ka, atëherë shkruesi i librit i ka bërë vetes terapi të përkohshme, por ajo që nxjerr, do ta ketë të vështirë të komunikojë me lexuesin.

Romani “Shtatë udhë” ndahet, siç e thashë pak më lart, në dy pjesë të mëdha, të cilat përbëhen nga disa elemente që e përshkojnë në tërësi. Në këtë recension, së bashku, po udhëtojmë nëpër shtatë elemente.

Në fillim e përmenda me qëllim thirrjen e famshme shqiptare: “O i zoti i shpisë!”. Kjo thirrje të fut në një realitet që po shkon drejt zhdukjes. Realiteti i jetës tradicionale në katund. Tashmë katundi tradicional shqiptar po shkon drejt transformimit përfundimtar. Po bëhen zhvendosje demografike e ndryshime kulturore, sociale, ekonomike. Oda e dikurshme, e shndërruar në dhomë ndeje, është bërë bashkë me kuzhinën në shtëpitë moderne. Thirrja te porta e oborrit është zëvendësuar me zilen elektrike apo me zilen e telefonit. Pothuajse askush më nuk shkon mysafir te miku pa e pas thirrur më parë në telefon. Kjo, para hiq më larg se njëzet a tridhjetë vjetësh, do të konsiderohej turp. Përmes thirrjes: “o i zoti i shpisë!”, autori na fton t’i hapim dyert për kujtimet e tij të fëmijërisë dhe kështu për një realitet të dikurshëm të katundit shqiptar të Kosovës. Aty është oda, është shpija, janë anëtarët e familjes, gjyshërit, babai, nëna, pastaj ngjarjet e përjetuara e të dëgjuara. Kemi lugetërit, varrezat, pushtetin e shitësit të shitores së vetme të katundit, historitë me gjermanë e partizanë, filmat me gra të bukura e shumë ndodhi e personazhe të tjerë. T’i rrëfesh këto në kafene, edhe mbesin aty, qëndrojnë edhe një kohë dhe zhduken. Autori ka bërë mirë që ndodhitë e tilla, të kujtimeve të veta, i ka vënë edhe në letër. Realiteti i dikurshëm, i shndërruar në fiksion letrar, do të mund të ngjallet gjithherë, posa të nisë leximi i romanit. Mendoj se ngjallja fiksionale e këtij realiteti përmes rrëfimit të kujtimeve të fëmijërisë edhe është elementi më i rëndësishëm i romanit.

Elementi i dytë është koha. Jo koha narrative verbale. Për këtë çështje të ndërlikuar teorike nuk po flas këtu. Po flas për kohën referenciale. Romani përfshin një periudhë të gjatë kohore. Kemi ngjarje nga koha e Jugosllavisë së dikurshme, e gjejmë kohën e fillimit të trazirave, krizës, demonstratave; lexojmë për kohën e luftës së fundit, për ngjarje që kanë ndodhur vërtet, pastaj për kohën pas luftës. Narratori autorial thjesht rrëfen për ato që ka përjetuar dhe ato që ka dëgjuar nga dëshmitarët. Ndër këto rrëfimet e luftës është edhe përjetimi i rëndë i vet autorit, që do të mund të bëhej tragjedi, siç edhe kishte ndodhur me mijëra herë me familjet shqiptare gjatë asaj kohe të rëndë për Kosovën.

E përmendëm narratorin autorial. Ky është elementi i tretë. Narratori, siç e dimë, është instanca rrëfyese e romanit, tregimit apo ndonjë lloji tjetër narrativ. Është ndërmjetësuesi mes storieve dhe lexuesit. Në këtë roman kemi dy tipa narratorësh. Narratori i vetës së parë, që në rrëfimet e fëmijërisë është pra narrator-fëmijë, kurse në rrëfimet e pjekurisë është narrator-i rritur. Ai herë është hero i storieve që rrëfen e herë është dëshmitar e vëzhgues i historive të të tjerëve. Rrëfen për ngjarjet që i ka pasur para sysh dhe tashmë i sjell para nesh ose të rrëfyerit e ndërton me imagjinatë. Pra, derisa rrëfimet për fëmijërinë janë ndërmjetësime të asaj që ka ndodhur ose mund të ketë ndodhur me të vërtetë, disa nga rrëfimet e pjekurisë piqen për neve nga imagjinata. Narratori i dytë, ndërkaq, është i gjithëdijshmërisë, i pozitës jashtë botës diegjetike. Shembull për këtë tip narratori janë disa rrëfime, por këtu do t’i kisha përmendur storien që lidhet me pushtetin, te kapitulli “Pushteti im” dhe storien që ka të bëjë me personazhin që dihej për patriot, por del se kishte qenë bashkëpunëtor i fshehtë i okupatorit, me krime të rënda në ndërgjegje. Në të gjithë kapitujt kalimi nga narratori i vetës së parë, nga forma-unë e rrëfimit pra, te narratori i gjithëdijshmërisë, te forma-ai pra, arrihet të motivohet pa i cenuar kufijtë e narracionit.

Të gjitha ngjarjet ndodhin diku. Hapësira në një roman mund të jetë referenciale, imagjinare apo simbolike. Në romanin e Paçarizit hapësira është referenciale, edhe atëherë kur njëri kapitull, “Çmendja ime”, është rrëfim alegorik, madje mund të thuhet edhe distopik, që lë shijen e një të tashmeje e të ardhmeje aspak të mirë për kryeqytetin tonë dhe krejt vendin. Është koha e shndërrimit të përditshëm të kryeqytetit në qenishtë kolektive. Përndryshe, edhe hapësira në këtë roman është dyshe, si makrostruktura:  ambienti i katundit te rrëfimet e fëmijërisë dhe ambienti i qytetit te rrëfimet e pjekurisë. Janë dy pjesë të ndara të së njëjtës hapësirë letrare të romanit, ashtu siç janë edhe pjesë të përbashkëta të jetës reale të shkrimtarit. Por, detajet e ambientit të katundit janë më të shumta, përshkrimet janë më të sakta, ngjyrat më të theksuara dhe lexuesit i duket sikur po e sheh atë botë interesante. Ndoshta, gjatë leximit, atë botë katundi më shumë do ta përjetojë dikush që është rritur në atë ambient. Por, kjo nuk do të thotë që edhe ndonjë që nuk e di si ishte ajo botë, nuk do ta përjetojë rrëfimin për të. Së paku, do t’i duket ekzotike. Ekzotizmi në  letërsi është gjithnjë atraktiv. Sidomos kur përshkohet kohë pas kohe nga humori, ose edhe situatat groteske, siç mund t’i ndeshim në këtë roman, si për shembull, kur vdekja e Titos shkakton ngordhjen e një mështjerre.

Personazhi është elementi qendror i një lloji narrativ, sado që Aristoteli e bënte veprimin më të rëndësishëm, kështu pra intrigën, por ai e kishte fjalën për tragjedinë antike. Në rrjetën e veprimeve, kur njëri veprim varet drejtpërdrejt nga veprimi tjetër, brenda kufijve të caktuar, edhe mund të pajtohemi se intriga është e para e personazhi i shkon pas, rob i fatit të penjve të ngrehur nga e pakuptueshmja dhe e pakontrollueshmja. Por, te ky roman nuk është krejtësisht kështu. Për një arsye të thjeshtë. Shumica e personazheve kanë ekzistuar me të vërtetë. Autori i nxjerr nga kujtesa e vet, i skalit me mjete letrare dhe i bën të përjetshëm në romanin e tij, derisa shumica prej tyre, tashmë janë zhdukur nga jeta reale. Edhe kur personazhet tingëllojnë sikur të trilluar, shihet se shkëndija e krijimit të tyre do të duhej të ketë qenë reale. Natyrisht se është kështu, meqë ky roman mban në një pjesë të madhe të veten edhe autobiografi. Që të jem më i saktë, rrëfimet e fëmijërisë janë infantografi, ndërkaq rrëfimet e pjekurisë, siç e thashë më lart, janë gërshetim i shumë përbërësve. Por, gjithçka lidhet te jeta e autorit, ajo që ka guxuar dhe ajo që ka ëndërruar, siç shprehet edhe ai vet diku, në një fusnotë të romanit. Personazhet pra janë të kujtimeve, përvojës, imagjinatës, kalojnë përmes zemrës, pastaj mendjes dhe pikin në letër të përshkruar si pamje dhe të rrëfyer në ndërveprim.

Elementi i gjashtë i këtij romani janë meditimet e përsiatjet autoriale, për disa tema, si për shembull, për gjuhën, por kryesisht për Zotin. Duke filluar nga dyshimet për dukuritë në këtë botë dhe hamendjet e narratorit-fëmijë për disa gjëra që inteligjenca fëmijërore nuk ia rrokë e pastaj te mënyra analitike e shikimit të botës, në fund e gjejmë besimin e shpallur ashiqare të autorit në Zotin. Nuk është besim që rrjedh nga imponimi, por është besim që vjen  nga shqyrtimi i tij personal i botës, dogmave, jetës, vdekjes, materies, shpirtit. Ndoshta përsiatjet e mendimet e tilla janë radhët më të drejtpërdrejtë të romanit. Në shikim të parë duket se e largojnë lexuesin nga rrëfimi, por, kur tërhiqemi pakës më lart, nga një pikëshikim më i ftohtë, mund ta vërejmë funksionimin e këtyre radhëve në tërësi, të cilët e plotësojnë romanin me filozofinë personale të autorit. Nuk duhet harruar se romani mban doza të forta autobiografie, prandaj, si në çdo autobiografi, autori e ndien se e ka të domosdoshme ta motivojë edhe karakterin e vet. Duhet t’i vendosë të gjitha pjesët e mozaikut që ndërton, jo vetëm për të tjerët, jo vetëm për ngjarjet e storiet, por edhe për veten. Kështu, parë në këtë mënyrë, pjesët meditative e filozofike, sado që nganjëherë të duken të gjata, janë plotësim i shkrimit për veten. Kthim te vetja, te shqetësimet e tilla meditative që njeriu mund t’i ketë.

Dua të flas pak edhe për elementin me të cilin thuren elementet e mësipërme të këtij romani. Për gjuhën pra. Gjuha e këtij romani ka fluktuacione të qëllimshme nga e folmja gegë rajonale, te gegnishtja e kultivuar, për të vazhduar me trajta të konstruktuara gege e deri te gjuha letrare. Eksperimenti i tillë i bërë vërehet më së shumti te paskajorja dhe shkurtimi i pjesores. Në fillim mund të zgjojë ndjenjë pengimi, por pas një numri faqesh të lexuara, lexuesi ngadalë mësohet me këtë stil. Gjuha letrare, ndërkaq, kur përdoret, tingëllon e rrjedhshme dhe në këto radhë shihet natyrisht ndikimi i leximeve autoriale të letërsisë. Gjuha e personazheve është kryesisht e motivuar me rajonin apo ambientin e prejardhjes, prandaj edhe qëndron mirë gjatë përdorimit.

Në këtë kohë kur po botohen pak romane që vlen të lexohen, kur koha për lexim është mbytur nga koha për argëtim serioz në rrjete sociale, kur vërshimi i personazheve të politikës dhe estradës, ka ngufatur jetën publike, pse ia vlen të lexohet romani “Shtatë udhë”? Pikërisht për shtatë elementet që përmenda më sipër. Madje, nëse përtoni, mund t’i lexoni vetëm rrëfimet e fëmijërisë, që sundojnë faqet e para të secilit kapitull. Po të shkoqeshin shtatë rrëfimet e fëmijërisë nga tërësia siç e ka kompozuar autori, do të mund të qëndronin autonome, të ndërlidhura me njëra-tjetrën pa ndonjë problem struktural. Madje, mund t’i lexoni kapitujt jo me renditjen që ka bërë autori. Është një mozaik të cilin mund ta shikoni duke filluar edhe nga fundi. Mirëpo, unë do t’jua sugjeroja ta lexoni mbarë këtë libër interesant narrativ e personal. /Gëzim Aliu

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë