Mbrëmjen e së mërkurës avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Luka Misetic, e konfirmoi se Gjykata Speciale e Hagës e ka shtyrë datën e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK’së, megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 orë që nga publikimi i këtij lajmi, deri më tani s’ka as edhe një reagim nga Lëvizja Vetëvendosje, transmeton Gazeta Metro.
Madje mëngjesin e së mërkurës edhe Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.
“Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Reagime pati nga OVL e UÇK’së e Partia Demokratike e Kosovës, mirëpo, të tilla munguan nga VV’ja.
Megjithatë, deklaratat e mëparshme nga ish-deputetë e ministra nga lista e kësaj partie lënë fort për të dëshiruar.
Fatos Geci sa qe në ulëset e Kuvendit i uroi fat të njëjtë me kriminelin Naim Murseli ish-presidentit Thaçi, e keq s’ja la as pas publikimit të instervistës së ish-presidentit me Bledi Fevziun vetëm para dy ditësh.
Në postimin ku citohej deklarata e Thaçit se “më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar”, ai lëshoi një koment skandaloz, por me gabime si shpeshherë.
“Mire qe koke pergadit se tash me 19 maj lidhesh per krjet jeten”, shkroi ai.
Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, njëzëri sikur se Vetëvendosje kanë qasje të njohur për çka edhe u kritikuan se vazhdimisht dolën hapur kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Madje Gërvalla-Schwarz u akuzua se ka dërguar dëshmi kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Hagë, ani pse akuza të tilla i ka mohuar vazhdimisht nëpër studiot televizive.
Megjithatë, përjashtim në këtë aspekt nuk bëri as Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët ndonëse opozitë, të cilët edhe përkundër ndjeshmërisë së çështjes, s’dhanë asnjë reagim./gazetametro.net