Duket se faqes zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës për futsall nuk i ka bërë aspak përshtypje se kryetari i FFK’së, Agim Ademi, po dyshohet për keqpërdorim të buxhetit në shtëpinë e futbollit kosovar, transmeton Gazeta Metro.
Ademi i cili vetëm javën e kaluar u shpall i pafajshëm për veprën penale ‘detyrim në bashkëkryerje’, menjëherë dolën akuza të reja ndaj tij. Tani, ai po dyshohet për ‘keqpërdorim të besimit’ dhe ‘shmangie nga tatimi’ brenda FFK’së.
Dje Gjykata Themelore në Prishtinë i vendosi masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar që sipas një postimi në Facebook të FFK – Futsal të thuhet se ”djelmoshat dhe stafi që janë në Portugali këtë fitore ia dedikojnë kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.”
Në anën tjetër, ata në fushë u treguan të jashtëzakonshëm duke mposhtur Sllovakinë U19 me rezultat 7-1 në fazën kualifikuese ‘Main Round’.
”Ndeshja e vlefshme e Grupit 3, nuk nisi mirë për Kosovës që e mbylli pjesën e parë në disavantazh me rezultat 1-0.
Por të besuarit e Haki Ahmetit u kthyen në pjesën e dytë duke shënuar shtatë herë. Blend Krasniqi shënoi tre gola, ndërsa nga një shtuan Jetnor Kabashi, Ideal Abdullahu, Elton Demaj dhe një autogol i Horvath,” thuhet ndër të tjerash.
Më poshtë gjeni postimin e tyre. /gazetametro.net