Loading…

Si do të jetë normalja e re pas koronavirusit?

  • Nga

  • LEONITË DEMAKU

  • 30/06/2020 | 21:21

Si do të jetë normalja e re pas koronavirusit?

Fjala që kemi dëgjuar më së shumti në muajt e fundit është “koronavirus”. Në fakt bëhet fjalë për një lloj të virusit të identifikuar si Covid-19, e që tashmë është shpallur pandemi gloable.


Për herë të parë, Covid-19 është shfaqur në dhjetor të vitit 2019 në Wuhan të Kinës. Gjashtë muaj më pas, koronavirusi ka prekur thuajse secilin vend të botës dhe përveç aludimeve, ende nuk dihet saktësisht se si ndodhi gjithçka. Sidoqoftë, siç duket bota tani për tani mision kryesor e ka përballjen me këtë pandemi dhe shpëtimin e sa më shumë njerëzve që është e mundur, e më pas edhe do të studiohet ky virus.

Në bazë të një analize mund edhe të shqyrtojmë edhe sa ky virus mund të ndryshojë botën, meqë kjo është e pashmangshme. Pandemia do ta ndryshojë botën përgjithmonë; diku si individ, e diku si shoqëri. Ndonëse ende nuk është publikuar një analizë zyrtare, ekonomia globale pritet të tkurret deri në tre përqind këtë vit për shkak të koronavirusit. Kështu njoftoi muajin e kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ku sipas tyre rënia globale e ekonomisë do të jetë më e rënda që nga Depresioni i Madh i viteve të 30-ta me origjinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ekonomia botërore ra më së shumti ndonjëherë në histori.

Sipas FMN-së kriza ka mundësi se do t’i heqë rreth 9 trilionë dollarë nga GDP globale gjatë dy viteve të ardhshme. E sipas tyre, pritet rritje ekonomike globale të rikthehet vitin e ardhshëm me 5.8 përqind nëse pandemia venitet në gjysmën e dytë të këtij viti. Kjo në thelb përbën ndryshim. Sa i përket shteteve, me miliona njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës pikërisht për shkak të pandemisë, ku sipas një studimi në Qendrën e Studimeve të Kinës në Universitetin Kinez, nga fundi i vitit të kaluar kanë humbur punën mbi 30 milionë njerëz. Kina ka ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe sipas CNN Business papunësia në muajin mars ishte 5.9 për qind nga rekordi 6.2 për qind raportuar një muaj më parë.

“Papunësia e Kinës po nënvlerësohet seriozisht. Është e pazakontë që ata jenë të gatshëm të raportojnë të dhëna e këqija. Duke pasur parasysh që qeveria shpesh ndryshon shifrat, situata e vërtetë duhet të jetë shumë më e keqe”, është thënë nga kjo Qendër.

Ndërkaq, edhe në vendin që konsiderohet si më i fuqishmi në botë, në SHBA kanë humbur punën miliona punonjës, teksa me mijëra biznese kanë falimentuar. Departamenti i Punës atje ka njoftuar në fund të muajit prill se janë shtuar edhe 3.8 milionë njerëz që kanë kërkuar kompensim papunësie ndërsa pandemia e koronavirusit vazhdon të dëmtojë rëndë ekonominë më të madhe të botës.

“Shumë punëdhënës po zvogëlojnë listat e pagave të tyre në përpjekje për të mbijetuar, sepse të ardhurat e tyre kanë pësuar goditje të rëndë, veçanërisht në restorante, hotele, palestra, kinema dhe vende të tjera që varen nga ndërveprimi ballë për ballë. Shitjet e automjeteve janë fundosur, dhe fabrikat janë mbyllur”, thuhej në këtë raportin e Departamentit.

Po ashtu, Administrata Amerikane ka njoftuar se ekonomia kombëtare ka rënë 4,8 përqind në tremujorin e parë të këtij viti, me perspektivën e një rënie shumë më të madhe në tremujorin prill-qershor, më tepër se në çdo periudhë që nga Lufta e Dytë Botërore. Credit Suisse parashikon një rënie prej 33.5 për qind, ndërsa banka e investimeve Goldman Sachs pak më shumë se 34 përqind, me një shkallë papunësie prej 15 përqind. Edhe ekonomia e Bashkimit Evropian është ndikuar shumë nga koronavirusi, ku madje presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen ditë më parë tha se pritet të pësojë kolaps.

“Virusi nuk është më vetëm një rrezik për shëndetin tonë, por edhe një ‘’shok’’ për ekonominë tonë”, ka thënë ditë më parë ajo, duke shtuar se në vendet e BE-së raportohet për mijëra njerëz të papunë.

Presidentja e Komisionit të BE-së deklaroi edhe se unioni do të vërë në dispozicion 37 miliardë euro për luftën kundër pandemisë së Coronës. Këto janë 12 milionë më shumë se sa u deklaruan në fillim të javës. Këto shuma do të përdoren nga depozitat deri tani të paprekura të fondit të BE-së për strukturën. Në bazë të këtyre deklaratave e raportimet, mund të theksohet se ekonomia e botës do të ndryshojë gjatë dhe pas përballjes me koronavirusin, me shpresën që me punë do të kthehet sërish siç ishte.

Realisht gjatë këtyre muajve thuajse forma e jetesës së secilit ka ndryshuar. E mjekut, e policit, e zjarrfikësit, e ushtarit, e bukëpjekësit e nxënësit. Për shumicën e personave që jetojnë në ditët e sotme pandemia globale është një situatë risi, pasi që janë përballur me lufta, katastrofa si termetet e cunamit, por jo me një diçka të tillë. Sot në secilin vend ka ndryshuar përditshmëria, mjekët po tentojnë të luftojnë diçka të cilën nuk e kanë parë më herët, policët po detyrohet t’i ndalojnë njerëzit në rrugë për t’i pyetur se ku po shkojnë, nxënësit po mësojnë në distancë me mësuesit e profesorët e tyre.

Epo, me diçka të tillë me të vërtetë nuk është përballur thuajse asnjëri deri gjatë këtyre muajve. Duke u nisur nga vetja, më duhet të them se si një 20 vjeçare asnjëherë në jetën time më parë nuk kam vendosur një maskë që më mbulon gojën dhe fytyrën. Njëjtë si unë edhe shumë bashkëmoshatarë, e ndoshta edhe njerëz më të mëdhenj në moshë se sa unë. Për shumicën e njerëzve ka qenë jo fort pamje e mirë të dalësh për t’u furnizuar në qytet me ushqim me frikën se mund të infektohesh nga një virus që mund të shkaktojë edhe vdekjen, të shohësh shumë pak njerëz në rrugë, e edhe ata që i sheh, me masa mbrojtëse në trupin e tyre.

Në lexim duket e frikshme, por situata të tilla ndikojnë shumë edhe në psiqikën e njeriut, në mënyrën se si e mendon situatën. Sipas një artikulli të publikuar javën e kaluar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, thuhet se njerëzit pritet që të përballen me gjendje psiqike më të rënduar derisa të kalojë kjo, e fatkeqësisht edhe më pas përfundimit të situatës. Në këtë raport citohet Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila ka paralajmëruar edhe më herët për një gjë të ngjashme.

“Izolimi, frika, e pazakonshmja, gjendja ekonomike, të gjitha këto shkaktojnë dhe pritet që të shkaktojnë stres dhe gjendje të rënduar psikologjike”, ka thënë Devora Kestel, drejtoreshë e OBSH-së në Departamentin e Shëndetit Mendor.

Fatkeqësisht, deri sot raportohet edhe për mijëra persona anë e mbanë botës që i kanë dhënë fund jetës, për shkak që nuk kanë përballuar izolimin dhe qëndrimin brenda.  Kjo, pritet të ndryshojë botën, me shpresën që me kalimin e viteve do të rimëkëmbet çdo gjë. Derisa të kalojë kjo pandemi, nuk dihet se çfarë tjetër. Por, në vazhdimësi po shohim se shumë gjëra po ndryshojnë. Mënyra si njerëzit punojnë veçse ka ndryshuar, shumë kompani kanë provuar punën nga shtëpia, e cila dihet se nuk është efektive sa ajo në vendin e ngjarjes.

Në shumë vende të botës shkollat janë mbyllur dhe nxënësit e studentët po praktikojnë mësimin virtual përmes platformave të ndryshme, i cili në përgjithësi ka rezultuar i sukesshëm, por që dihet se nuk mund të vazhdojë gjithmonë. Mënyra se si njerëzit do të pushojnë pritet të ndryshojë pasi që shumë vende, si Italia, kanë filluar të mendojnë për format se si do t’i presin turistët, e që pritet që edhe shtretërit e pushimit t’i vendosin në distancë. Por mbi të gjitha, do të ndryshojë edhe forma se si njerëzit në botë do të reagojnë ndaj një pandemie tjetër globale nëse shfaqet ndonjëherë.

Koronavirusi mund të ketë ndryshuar botën përgjithmonë, por nëse një virus shfaqet sërish, njerëzit dhe shtetet mund të ndryshojnë formën e reagimit të tyre ndaj tij.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë