Loading…

Si dukej 28 nëntori para 579 vjetëve

  • Nga

  • VALON SYLA

  • 28/11/2022 | 14:38

Si dukej 28 nëntori para 579 vjetëve

Një tregim se pse e festojmë 28 nëntorin. Shumë arsye për festë po përmendën, por fillet janë me 28 nëntor 1443. Fillimi i pretendimeve për një territor dhe shtet shqiptar.


Shkruan: Valon Syla

Ishte mëngjes i ftohtë 28 nëtori i vitit 1443, kur krutanët panë një trupë prej 300 kalorësish, që hyri rrugëve të ngushta të pazarit jashtë mureve. Udhëhiqej nga një komandant fisnik i veshur me parzmore turke, e që shihej se nuk ishte nga ana e tyre përnga gjatësia e shtatit.

U afrua para Derës së Madhe të Kështjellës së Krujës, të cilit nga lartë ju drejta një oficer osman. Pasi që dëgjoi se kush ishte, ia hapi derën, sepse me vete mbante një firman të fuqishëm. Një ‘krisobulë osmane’ të vulosur me Vulë Sulltani, në të cilën shkruante se Kruja tashmë, është nën zotërimin e Skenderbeut.

Shpejtë u kuptua atë ditë, që firmani ishte falsifikuar, sepse turqit e pasur të kështjellës, u mbajtën peng, për tu këmbyer më vonë, për një shpërblesë monetare, te familjet e tyre fisnike.

Ishte një nëntor i ftohtë, shkruajnë kronikët. Ishte i 28’ti nëntor, kur edhe për herë të parë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, ngriti flamurin e përafërt me atë që shqiptarët e mbajnë sot, dhe menjëherë filloi një rezistencë kundër islamizimit të Arbërit, dhe Sulltanëve Osman.

Për këtë arsye festohet dita e flamurit… dhe këtë datë i vetmi e jep, murgu shkodran Marin Barleti (1450-1513), i cili në librin e tij shkruan me romantizëm të theksuar se ishte 28’i nëntor, kur kurutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur.

“Të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë. Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve”, shkruan Barleti.

Pastaj i lëshohet kreativiteti këtij murgu mesjetar kur i shkruan fjalët që Skenderbeut i mbetën në gojë me shekuj, e që ende historikisht është e vështirë të vërtetohet se a i kishte thënë saktësisht kështu.

“Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja”, shkruan Barletti.

Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht forcat osmane, duke i vënë ato në gjendje frike e paniku.

Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë në bisedime me banorët e zotërimevë të Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë.

Kështu pak a shumë përfundon shpjegimi i Barletit për këtë ditë. Pa marrë parasysh se sa romantik ishte murgu shkrimtar.

Përpos kësaj, nga kjo ditë, Gjergj Kastrioti – Skendërbeu nisi themelet e një shteti shqipfolës dhe një aleance perëndimore me fuqinë më të madhe të së atëhershme, që ishte mbretëria e bashkuar e Katalonisë dhe Kastijës, që njihet nga ajo kohë si Spanjë.

Nga kjo ditë nisi një formë tjetër e Shqipërisë, që shqiptarët vendosën ta ruajnë si model të Shqipërisë Moderne. Kësaj shqiptarie që e festojmë sot me flamur, kudo ku gjinden. Pastaj erdhi edhe 28 nëntori 1912. I bazuar te kjo ngjarje dhe kjo datë që e përshkruva më lartë. Për këto arsye, po në këtë datë vendos të dal për herë të parë publikisht edhe UÇK.

Urime 28 nëntori. Dita e Flamurit dhe Themeleve të Shqiptarisë.

(Autori i kësaj kolumne është publicisti i njohur kosovar Valon Syla)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë