Loading…

Si erdhi deri te dorëheqja e Boris Johnson dhe kush mund të jetë kryeministri i ri i Britanisë

  • 07/07/2022 | 16:05

Si erdhi deri te dorëheqja e Boris Johnson dhe kush mund të jetë kryeministri i ri i Britanisë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar njoftoi sot se do të tërhiqet nga roli i liderit të Partisë Konservatore dhe pozita e kryeministrit në momentin që gjendet zëvendësuesi i tij. Festat e organizuara në vitin 2020 që kishin thyer rregullat anti-COVID ishin vetëm fillimi i fundit. I zhytur në skandale të njëpasnjëshme dhe me ekonominë në krizë të thellë, Johnson’it iu dha mbrëmë shuplaka përfundimtare nga ministrat e tij, të cilët tani do të garojnë ashpër për t’u futur në 10 Downing Street, shkruan Gazeta Metro.


Johnson, në adresimin që ia bëri sot popullit britanik për ta njoftuar për dorëheqjen, tha se ai nuk e gëzon më mbështetjen e partisë parlamentare dhe se tani ishte koha për një lider të ri. Vetëm një muaj më parë, në një mocion votëbesimi brenda partisë, Johnson mori mbështetjen e 211 anëtarëve konservatorë të parlamentit, me 148 të tjerë që e donin atë jashtë Zyrës së Kryeministrit.

Të martën mbrëma, Sajid Javid dhe Rishi Sunak, dy prej ministrave kryesorë të Qeverisë Johnson, njoftuan për dorëheqjen e tyre pasi që nuk mund të vazhdonin më me Johnson në krye. Kjo ishte goditja më e rëndë për kryeministrin britanik, i cili deri para pak kohësh thoshte se po mendon për mandatin e tretë në krye të Mbretërisë së Bashkuar.

Dorëheqja e këtyre ministrave erdhi pas zbulimit të tmerrshëm se deputeti Chris Pincher, i akuzuar për abuzime seksuale me burra që punonin për të, ishte avancuar në detyrë nga Boris Johnson, përkundër faktit se ky i fundit ishte në dijeni për sjelljet e Pincher. Kryeministri kërkoi falje, por në atë moment çdo gjë ishte shumë pak, shumë vonë.

Tani, pas dorëheqjes së sotme të Johnson, Partia Konservatore do të detyrohet të gjejë një lider të ri, me dhjetëra anëtarë ambiciozë konservatorë që do të bëjnë fushatë intensive për të marrë besimin e kolegëve të tyre. Lideri i ri, në rast se nuk ka zgjedhje të parakohshme, do të jetë kryeministër edhe për se paku dy vjet.

Fillimisht u raportua se Johnson do të qëndrojë në detyrë deri në tetor, por kjo mund të jetë vështirë e realizueshme. Pjesa më e madhe e konservatorëve e duan atë jashtë menjëherë, ndërsa lideri i opozitës, Sir Keir Starmer, tha se nëse Johnson nuk largohet shpejt, ai do të paraqesë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit në parlament, raporton Gazeta Metro.

Sidoqoftë, Johnson do të largohet dhe Mbretëria e Bashkuar do të ketë një kryeministër të ri. Emrat që spikasin më së tepërmi janë ata të ministrave që dhanë dorëheqje por edhe të disave që ende janë në detyrë.

Rishi Sunak

Ish-kancelari i Thesarit u pa deri vonë si zëvendësuesi më i mundshëm i Boris Johnson, mirëpo muajt e fundit reputacioni i tij është dëmtuar pas një polemike mbi çështjet tatimore të gruas së tij, dhe jo shumë kohë pas kësaj ai mori një gjobë për shkeljen e rregullave të karantinimit pasi që mori pjesë në festat famëkeqe të qeverisë.

Liz Truss

Kryediplomatja britanike shihet si një politikane ambicioze e cila do të garojë për kreun e Partisë Konservatore, duke u ngritur së fundmi me diskursin e saj të egër ndaj Rusisë dhe mbështetjes që Britania ia ka dhënë Ukrainës

Ajo ka qenë prej mbështetësve kryesorë të kryeministrit Johnson deri më sot dhe kërkoi që pas dorëheqjes së shefit të tij, qeveria të vazhdojë të punojë.

Ben Wallace

Sekretari i Mbrojtjes dhe ish-ushtari është një figurë e profilit të ulët që ka tërhequr vëmendjen në rritje që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, pasi Britania e Madhe mori një vendim të hershëm për të përkrahur Kievin me armë dhe stërvitje.

Wallace ka filluar të gëzojë mbështetje të madhe në mesin e konservatorëve, me një sondazh të kryer nga YouGov sot që e vendos atë si favoritin kryesor për kryeministër të ardhshëm.

Sajid Javid

Ish-sekretari i Shëndetësisë ishte i pari që i dha goditjen finale Johnson’it me dorëheqjen e tij të martën. Tashmë s’ka dyshim që Javid do të jetë në garë.

Deklarata e tij personale dje në parlament ishte e fuqishme dhe mori miratim nga një pjesë jo e vogël e anëtarëve konservatorë. Javid ka konkurruar më parë për udhëheqjen në vitin 2019, duke arritur në katërshen e fundit përpara se të largohej për të mbështetur Johnson.

Ka të atillë në mesin e konservatorëve që e dëshirojnë zëvendësi aktual të Johnson, Dominic Raab, si kryeministër në detyrë deri sa të zgjedhet udhëheqësi i ri i partisë, mirëpo nuk dihet sa është i gatshëm Johnson për të bërë një gjë të tillë.

Gara tanimë ka filluar dhe premton të jetë tejet interesante. Deri sa të dalë tymi i bardhë nga oxhaku i konservatorëve, Mbretëria e Bashkuar mbetet me një kryeministër të “plagosur” dhe një qeveri pothuajse krejt ndryshe nga ajo e para 48 orëve./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë