Loading…

Si u vra Agim Ramadani: Flet për herë të parë bashkëluftëtari i tij

  • 10/04/2020 | 19:37

Si u vra Agim Ramadani: Flet për herë të parë bashkëluftëtari i tij

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Berisha, ka treguar për herë të parë për mënyrën se si është vrarë bashkëluftëtari i tij, Agim Ramadani, më 11 prill 1999.


Në një bisedë në emisionin Frontal Live në T7, Berisha ka treguar momente që kurrë më parë nuk janë dëgjuar.

Mes emocioneve, ai ka treguar se, para së të vritej, Agim Ramadani është kujdesur që t’ju jepte bukë ushtarëve që kishte me vete.

“Kur kemi rënë te përroi poshtë, na pyeti: ‘A keni hëngër bukë?’. Ne i thamë, dikush po, dikush jo. E ka nxjerrë një bukë, edhe na ka dhënë nga një copë secilit”, ka treguar Berisha.

Më pas, siç ka thënë ai, “Katana” ka parë gjurmët e ushtarëve serbë. “Na ka pozicionuar, edhe kanë filluar luftimet. Ai ka organizuar pozicionet tona”.

Berisha, që në atë kohë ishte 20-vjeçar, ka treguar momentin kur një plumb ka goditur Agim Ramadanin, derisa ky po shihte nëse plumbat e ushtarëve të UÇK’së kanë goditur armikun.

“Filluan luftimet pas një pauze, një ushtar i joni ka ndërruar një pozicion, dhe ka gjuajtur. Komandanti u ngrit në këmbë për të parë, e rroku plumbi, se ai ra. Më pas, ushtari serb ka sharë serbisht, unë shqip, sepse kemi qenë aq afër, sa jemi dëgjuar me ta”, ka vazhduar rrëfimin ish-ushtari, duke treguar edhe momentin kur pa se Agim Ramadanin e mori plumbi.

“Unë e pashë momentin kur u godit Agim Ramadani dhe ra për toke. Unë kam dalë nga istikami, kam shtënë, ka shtënë edhe Besim Kelmendi, dhe na ka mbuluar Lutfi Hoxha. Kam emocione. Është e rëndë, por duhet të të japë motiv, të hakmerresh e ta çosh amanetin e tij përpara”, ka thënë Berisha.

Ish-bashkëluftëtari i “Katanës” ka treguar edhe për mënyrën se si është tërhequr trupi i pajetë i komandantit.

“Kanë filluar luftimet, gjysma nga ata nuk e kanë parë që e kanë vrarë. Pas një kohe, kemi filluar tërheqjen e tij. Është afruar Aziz Emrushi te trupi i tij. Unë edhe Besim Kelmendi e kemi tërhequr për këmbe, e kemi ngrehur. Ka ardhur Cen Aliçku, tha: ‘Pse po e ngrehni kështu?’. I thamë se jemi lodhur. E ka nxjerrë thesin e fjetjes, dhe e kemi futur trupin e tij, e kem çuar atje. Ka ardhur Sali Çeku, shumë i mërzitur”, ka treguar Berisha detaje të pathëna deri me tash rreth vrasjes së Agim Ramadanit.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë